Ministri Mustafa pranon Raportin e DASH-it për trafikim me qenie njerëzore

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa në takim me Oliver Mains, Zyrtar Politik pranë Ambasadës së SHBA-ve, ka pranuar raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikim me qenie njerëzore, njofton MPB.

Në këtë raport janë theksuar nëntë rekomandime të cilat i referohen nevojave për rritjen e efikasitetit në parandalimin, luftimin e trafikimit me qenie njerëzore si dhe kujdesin për viktimat e trafikimit.

Sipas raportit të DASH-it, Republika e Kosovës vazhdon të rangohet në nivelin dy nga tri nivelet themelore, por raporti ka parasysh përpjekjet domethënëse të Qeverisë së Kosovës. Rrjedhimisht sipas raportit Republika e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm krahasuar me raportin e vitit të kaluar dhe raportet tjera paraprake, njofton MPB.

Ministri Mustafa ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë e veçanërisht SHBA-të për përkrahjen e vazhdueshme në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, derisa është zotuar se në koordinimin me ministritë dhe institucionet tjera shtetërore, do të angazhohet në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i DASHI-it, veçanërisht për një rregullativë ligjore më efikase për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Zëri i Amerikës ka raportuar se në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit, Qeveria e Kosovës kritikohet për rezultate të mangëta.

Megjithatë, DASH vlerëson përpjekjet e Kosovës për të ndryshuar gjendjen, duke rishikuar klasifikimin e rasteve të trafikimit në kodin penal.

Sidoqoftë, në dokument thuhet se qeveria nuk ka përmbushur as standardet minimale në disa pika tjera, prandaj edhe radhitet në nivelin 2, sipas klasifikimit të Departamentit.

Vërejtjet kryesore në raport janë dënimi i një numri të vogël trafikantësh dhe identifikimi i pak viktimave.

Kritikë tjetër është dënimi i pamjaftueshëm i trafikantëve nga organet e drejtësisë.

Qeveria e Kosovës u kritikua edhe për uljen e fondeve për organizatat joqeveritare, duke i lënë ato të varura nga donacionet ndërkombëtare, raporton Zëri i Amerikës.

Vitin e kaluar autoritetet e sigurisë së Kosovës kanë bërë 12 kallwzime penale që është gati gjysma e kallwzimeve të bëra në vitin 2017, thuhet në raport.

Viktimat e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë shfrytëzohen seksualisht dhe shumica janë vajza, banore të Kosovës ose të sjella me forcë nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia e vende tjera.

Shfrytëzimi i tyre bëhet nëpër shtëpi private, apartamente, klube nate dhe qendra masazhi.

Raporti përmend edhe rastet kur fëmijë nga Kosova dhe vende të tjera fqinje largohen me forcë nga vendi i tyre, duke i detyruar për prostitucion dhe punë të detyrueshme në vende të ndryshme të Evropës.

Viktima të trafikimit janë edhe pjesëtarët e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët detyrohen të kërkojnë lëmoshë dhe shpesh bëhen pre e trafikimit seksual.

Problemet me korrupsionin në qeveri krijojnë një mjedis që mundëson krimin, thuhet në raport, raporton Zëri i Amerikës.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, rekomandon që të hetohen më fort rastet e trafikimit dhe dënimet ndaj kësaj kategorie të jenë më të ashpra, qeveria të japë më shumë fonde për OJQ-të, të organizohen trajnime profesionale për prokurorë e gjyqtarë dhe të shtohet bashkëpunimi me autoritetet lokale për mbrojtje të viktimave.