Ministri Tahiri: Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar nga sot ka adresë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri vlerëson si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm funksionalizimin e Departamentit Special pranë Gjykatës Themelore dhe Gjykatë së Apelit në Prishtinë.

Përmes një deklarate për media, ministri Tahiri ka theksuar se me emërimin e gjyqtarëve që nga dita e sotshme do të angazhohen në këtë departament, tani e tutje do të trajtojë ekskluzivisht lëndët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Deklarata e plotë e Ministrit Tahiri:

Jam shumë i lumtur që e gjithë ndërmarrësia ligjore me të cilën kemi arritur të reformojmë sistemin e drejtësisë që nga viti i kaluar deri më sot si dhe masat e Agjendës “Drejtësia 2020” kanë hyrë në kursin e duhur të realizimit. Në këtë drejtim, funksionalizimi i Departamentit Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe Apelit, është hap jashtëzakonisht vendimtar në këtë kurs të veprimit.

Kemi qenë të përkushtuar për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vendosmëria jonë për të rritur kapacitetet e organeve të zbatimit të ligjit në funksion të kësaj lufte, është prova konkrete ndaj këtij përkushtimi.

Sot, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i është vendosur një adresë e posaçme dhe e specializuar brenda gjyqësorit, e cila pritet të rrisë efikasitetin e shqyrtimeve gjyqësore dhe do të mundësojë rezultate konkrete në përkushtimin tonë institucional për luftë të pa kompromis kundër këtyre dukurive.