Ministri Tahiri refuzon të raportojë në Komision për çështjen e rekrutimit të noterëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nuk do të marr pjesë në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, për të raportuar për rekrutimin e noterëve të rinj, administratën e sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës që lidhen me Ligjin e Pagave. Kështu ka thënë në një postim të tij në rrjetin social Facebook, vet ministri Tahiri duke treguar dhe arsyet e mos pjesëmarrjes së tij.Tahiri tha se agjenda e paraparë në këtë takim, nuk përkon me tema që lidhin përgjegjësitë e tyre institucionale.

“Për korrektësinë që duhet të karakterizojë sferën institucionale dhe përgjegjësitë e gjithsecilit prej nesh, dëshiroj të sqaroj se sot nuk do të marr pjesë në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, për arsyet që i kam shpjeguar Kryetares së Komisionit, deputetes Albulena Haxhiu në letrën që i kam dërguar ditën e premte. Agjenda e paraparë në këtë takim, nuk përkon me tema që lidhin përgjegjësitë tona institucionale dhe në rastin më të mirë, përkon me tema që tashmë janë adresuar. Si e tillë, pikat për të cilat jam ftuar të raportoj, në mesin e tyre, provimi i Noterisë që ende s’ka përfunduar, përbëjnë një mundësi që çështjet e menaxhimit profesional, të bazuara në ligj dhe të pavarura nga politika, t’i shërbejnë akterëve politik për politizimin e tyre, gjë të cilës unë si Ministër i Drejtësisë, nuk do t’i kontribuoj”, ka thënë Tahiri.

Për korrektësi, po e bashkëngjis letrën që i kam dërguar Kryetares së Komisionit. Siç kam theksuar në letër, e ritheksoj edhe tani, se jam i gatshëm të raportoj në çdo kohë, në secilin hark kohor që Komisioni më fton për përgjegjësitë e mia institucionale si Ministër. Por kurrsesi për politizimin e proceseve tërësisht profesionale dhe të bazuara në zbatimin e ligjit”, ka shkruar Tahiri Në rrjetin social në Facebook.

Ndryshe, sot Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do të mbaj mbledhjen e rregullt.

Në Komision, pos pikës së raportimit të ministrit Tahiri, do të behet po ashtu edhe shqyrtimi i Raporteve të Komisioneve Kryesore për Projektligjin nr. 06/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar dhe shqyrtimi i Raportit për Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Pritet edhe formimi i grupit punues për hartimin e Rregullores së punës së Komisionit.

Më poshtë lexoni letrën e ministrit Tahiri dërguar, kryetares së Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu.