Ministria e Arsimit jep detaje për fillimin e vitit të ri shkollor

Drejtoritë komunale të Arsimit në nivel vendi i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2019/2020. Kështu thanë për Radio Kosovën zyrtarë të Ministrisë se Arsimit.

Edhe zyrtarët komunalë të Prishtinës thonë se punët janë duke përfunduar ashtu siç është planifikuar dhe objektet shkollore do të jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.

Sipas të dhënave që deri më tani kanë ardhur nga drejtoritë komunale të arsimit tregojnë se gjithçka është gati për fillimin e vitit të ri shkollor. Kështu tha për Radio Kosovën, këshilltari i Ministrit të Arsimit, Fatmir Bytyçi.

“Sa i përket përgatitjeve sigurisht kemi informacion se përgatitjet neper komuna janë bërë. Ministria ka një departament të infrastrukturës, i cili përcjell informacione rreth përgatitjeve të cilat i merr nga drejtoritë komunale të arsimit. Por ligji komunal për arsimin shumicën e kompetencave i bart tek komunat”, ka thënë Bytyçi.

Po ashtu, Bytyçi, theksoi se ketë vit shkollor risi është se janë identifikuar shkollat në të cilat pritet që për herë të parë të fillojnë aplikimin e mësimit tërë ditor.

“Këtë vit kemi një risi ku komisioni i ka identifikuar shkollat në të cilat pritet që për herë të parë të startojë me mësimin terë ditor. Kjo nuk mund të bëhet në të gjitha shkollat për arsye se kërkohet infrastrukturë shtesë, por vetëm në ato shkolla të cilat janë identifikuar nga Komisioni i Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim më drejtoritë komunale të arsimit”, shtoi Bytyçi.

Sa i përket përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, në një përgjigje për Radio Kosovën theksoi se gjithçka është duke shkuar sipas planit të paraparë dhe objektet shkollore do të jenë gati për datën 2 shtator, kur pritet të fillojë viti i ri shkollor.

/RTK, link: http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=372346/