Ministria e Kulturës aprovon vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Ulqin

Shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu që parashihet të vendoset në një bulevard me emrin e njëjtë në Ulqin, do të jetë e gjatësisë 1.5 metra e vendosur në një bazament prej 3.5 metrash.

Ministria e Kulturës i ka dhënë leje komunës së Ulqinit që kjo shtatore të jetë vetëm 1.5 metra, ka bërë të ditur kryetari Loro Nrekiqi për mediumin “Vijesti”, transmeton Koha.net.

Me projektin e arkitekti ulqinak Shpëtim Malaj, në shtatoren e heroit kombëtar do të shkruhet emri i tij, data e lindjes dhe e vdekjes.

Afati për vendosjen e shtatores është muaji mars i këtij viti, derisa fondet për ndërtimin e shtatores janë siguruar nga shoqatat “Simon Filipaj“ dhe “Don Gjon Buzuku”.

Shtatorja e Skënderbeut do të jetë replikë e asaj në Tiranë dhe Prishtinë, përveç se me dimensione më të vogla.