Ministria e Shëndetësisë jep detaje për vdekjet e sotme me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka raportuar për vdekjet e sotme me COVID-19 në Klinikën Infektive.

Sipas MSh-së, për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës shprehin keqardhje me rastin e vdekjes së pacientëve, të diagnostikuar me Covid-19, në orët e para të mëngjesit të ditës e diele.

Ajo çka SHSKUK mund të konfirmojë deri në këto momente është se të gjithë këta pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikushme të dignostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive-QKUK.

“Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSh dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakoshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, thuhet në njoftim.

SHSKUK konfirmon se fluksi i pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga Covid-19 është rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa QKUK ka rritur kapacitetet e saja të Mjekimit Intensiv, me qëllim të trajtimit të të gjithë pacientëve të spitalizuar, pavarësisht ngarkesave të mëdha.

“MSh dhe SHSKUK i ngushëllojnë familjarët e pacientëve që kanë humbur betejën me Covid-19”, thuhet në fund të njoftimit./lajme365.com