Ministrja Dumoshi premton mbështetje për projekte në kulturë e sport në këtë komunë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Fushë Kosovës, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Burim Berisha.

Pas takimit të dy, Dumoshi e Berisha, tha se kanë diskutuar për projektet në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi, tha se do të mbështesin disa projekte të kësaj komune të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve për sportistët e kësaj ane.

“E kemi palestrën sportive në të cilën shpejt do të fillojnë punimet, gjithashtu e kemi edhe muzeun e natyrës ku është duke u ndërtuar në këtë territor. Njëkohësisht me kryetarin folëm pasi një pjesë të pronës së komunës së Fushë Kosovës, meqë projekti i tij është ideor për një kompleks sportiv, ku do t’i bashkëngjiten edhe fushat sintetike, gjithashtu edhe fusha të tenisit. Unë sot e kam siguruar kryetarin e Komunës që ne do të bashkëpunojmë shumë edhe për zhvillimin e këtij kompleksi, i cili është shumë i nevojshëm”, tha ajo.

Ajo tha se me këtë do të përfitojnë sportistët edhe të Komunës së Prishtinës dhe të Fushë Kosovës.

Dumoshi tha se edhe në Kalanë e Harilaqit do të investohet.

E kemi kalanë e Harilaqit e cila është në këtë territor, një kala vërtet shumë unike. Ministria do të vazhdojë të investojë në këto fusha.

Ndërsa, kryetari i Komunës së fushë Kosovës, Burim Berisha, tha se me ministren Dumoshi kanë biseduar për investime në kulturë dhe sport.

Dumoshi dhe Berisha kanë vizituar edhe Muzeun e Natyrës tek Pishat./KsP.