Ministrja Hoxha reagon pas anulimit të projektit të deponisë i financuar nga BE-ja

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka shprehur zhgënjim me rastin e anulimit të projektit për deponinë e materieve të rrezikshme në Harilaq të Fushë Kosovës, duke potencuar se as Ministria e Ambientit nuk ofroi alternativë tjetër.

Hoxha ka theksuar se Kosova nuk ka përkujdesje për mbeturinat e rrezikshme dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e qytetarëve tanë.

Sipas saj, “përkundër takimeve, kërkesave të shumta me shkrim dhe insistimit të vazhdueshëm nga ana jonë, si pasojë e mungesës së vullnetit nga autoritetet lokale të Fushë Kosovës si autoritete kompetente për këtë çështje — projekti nuk u realizua dhe vendi ynë humbi 12 milion euro”.

Hoxha ka pohuar se për projektin “Hartimi i planit për deponinë për mbeturinat e rrezikshme”, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor identifikoi lokacionin në Harilaq, por u refuzua nga Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës, gjë që shpiu në anulimin e projektit.
“Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk ofroi lokacion tjetër. Është tejet zhgënjyes mos përkushtimi i autoriteteve lokale të Fushë Kosovës për realizimin e këtij projekti, duke mos përmbushur përgjegjësinë ndaj qytetarëve tanë për të garantuar ambient të sigurt.

Vendi ynë aktualisht, nuk ka përkujdesje për mbeturinat e rrezikshme dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e qytetarëve tanë. Deponia do të ishte pa rrezik dhe në pajtim me standardet e evropiane, ashtu siç funksionon në BE”, ka theksuar ajo në FB.