Mjekët e QKUK-së protestojnë kundër dhunës ndaj tyre

Sindikata e Qendrës Klinike Universitare para Emergjencës në QKUK ka protestuar kundër sulmeve dhe veprimeve denigruese ndaj personelit shëndetësor, raporton EkonomiaOnline.

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të QKUK-së, tha se kjo protestë është vetëm si paralajmërim dhe sensibilizim për të gjitha institucionet vendëse.

“Jemi mbledhur sot në këtë protestë paralajmëruese për të senzibilizuar opinionin e gjerë: përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës: Kryetarit, kryeministrit në detyrë dhe atij në ardhje, kryeparlamentarit në detyrë dhe atij në ardhje, ministrave respektivë të drejtësisë dhe të punëve të brendshme, si atyre në detyrë edhe atyre në ardhje, përfaqësuesve të popullit në parlamentin e RKS (ata që janë në shkuarje dhe ata që vijnë), institucionit të ‘Avokatit të popullit’, ’Gjykatës kushtetuese’ mediat e shkruara dhe elektronike, si dhe të popullit”, tha ai.

Ai bëri të ditur se shumica e punonjësve shëndetësorë kanë përjetuar dhunë verbale, por edhe dhunë fizike.

Duke iu referuar këtyre statistikave, Selmani apeloi te të gjitha institucionet relevante që të marrin masat e duhura për parandalimin e këtyre rasteve, por edhe dënimin e sulmuesve.

“Dua t’i referohem statistikave të ‘Odës së Mjekëve’ sipas të cilave: 78,80% e punonjësve shëndetësorë kanë përjetuar dhunë fizike dhe verbale; 81.40% kanë përjetuar dhunë verbale ndërsa dhunë fizike: 1,4%; Të dy llojet e dhunës i kanë përjetuar;17,2%: Dhunë nga familjarët e pacientëve kanë përjetuar: 68,70% ndërsa nga vetë pacienti 15,70%”. Nëse merren parasyshë këto statistika shqetësuese, shteti duhet të ndërhyjë menjëherë me ligje, programe, projekte dhe investime. Duke iu referuar këtyre statistikave të zymta, kërkojmë: Së pari: Mbrojtje ligjore – punonjësi shëndetësor të trajtohet si person i autorizuar zyrtar dhe çdo sulm ndaj tij të trajtohet sipas procedurës penale”, tha ai.

Kryesindikalisti i punëtorëve të QKUJK-së, foli edhe për ligjin për pagat që pritet të ekzekutohet në dhjetor.

Ai tha se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për të zvarritur implementimin e këtij ligji.

“Ne punonjësit shëndetësor përpjekjet tona i kemi orientuar në rrugë ligjore dhe institucionale, qe më shumë se dy vite, për të arritur që këtë fund-vit ta presim me gëzim dhe më dinjitetshëm. Përpjekjet tona janë civilizuese dhe shtetndërtuese sepse ky ligj ka qenë kushti MSA prej vitit 2004. Ne ketë fund-vit, në emër të organizatës sindikale, ua tërheq vërejtjen ju si institucion dhe institucionit me te lartë të gjyqësisë, Gjykatës Kushtetuese se na ka humbur durimi dhe ne nuk jemi të gatshëm që me, ne qetesi, të presim këso vendimesh që mund të jenë të porositura nga instanca dhe profile të lartë politikanësh si dhe institucione të cilat marrin paga enorme dhe për interesa meskine nuk ju intereson ligjshmëria në këtë segment të shtetësisë sonë”, përfundoi ai.