Mjekët në Podujevë kërkojnë lirimin e kolegut të tyre Ibrahim Hoti

Mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë sot ditën e kanë filluar duke protestuar kundër arrestimit të kolegut të tyre, pulmologut Ibrahim Hoti, pasi të njëjtit të enjte i kanë publikuar nëpër rrjete social një video incizim në vendin e tij të punës.

Kolegu i Hotit, Hasan Asllani përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se nuk do të lëvizin nga kërkesa e tyre deri në lirimin e Hotit.

“Deri në lirimin e dr.Ibrahim Hotit. Nuk lëvizim nga kërkesa jonë”, ka shkruar Asllani.

Ndryshe, doktor Ibrahim Hoti kishte refuzuar të kontrollojë një pacient të moshuar, me arsyetimin se e ka kryer orarin e punës dhe për këtë ai është suspenduar nga puna pasditen e së enjten.

Ndërkaq, Prokurori i Shtetit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e bërë nga Prokuroria thuhet se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.​

Mirëpo reagime ka pasur edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Oda e Mjekëve të cilët kanë kërkuar nga organet e rendit që ta lirojnë doktorin e arrestuar. /Telegrafi/