Mjekët në QKUK e operuan 39 vjeçaren pa e ditur se ishte e prekur nga coronavirus

Kirurgët në QKUK e kanë operuar një 39 vjeçare pa e ditur se ishte e prekur me coronavirus një gruaja nga Istogu.

Gruaja nga Lluga e Istogut është operuar në Klinikën Kirurgjike në QKUK ndërsa testet janë kryer vetëm pas operacionit. Para hospitalizimit në QKUK gruaja kishte qëndruar në Spitalin e Pejës ku po ashtu ishte kuruar për sëmundjen e tjera të saj.

Besart Dreshaj, anëtar i shtabit emergjent në Komunën e Istogut ka dhënë detajet e fundit rreth rastit me COVID-19 në Istog.

Ai ka thënë se e njëjta kishte qëndruar tri ditë në spitalin regjional të Pejës e më pas është dërguar në Prishtinë. Pas operimit nga sëmundjet tjera, e njëjta ka rezultuar pozitiv në testin e COVID-19.

Sipas Dreshajt, e infektuara kishte pasur disa vizita në disa vende të ndryshme kohëve të fundit. Ai tha se gruaja është mbajtëse e familjes.

“Pacientja është banore e Komunës së Istogut, nga fshati Lluga, e moshës 38-39 vjeçare, nën e dy fëmijëve, burri i ka vdekur para 10 viteve. Në bazë të historiatit që e kemi e që e kemi marr mbrëmë bashkë me policinë, ka qenë në vizitë në familjen e saj që ish në Skenderaj, te vëllezërit dhe te prindërit. Pacientja me datën 9 (prill), ka ardh në QKMF-në e Istogut dhe pas kontrollit është orientuar me shku në spitalin e Pejës”, ka thënë Dreshaj.

“Pas vizitës atje, e kanë fut në spital, në bazë të informatave ka nejtë 3 deri në 4 ditë në Pejë. Parmbrëmë, në orët e vona të mbrëmjes e kanë dërguar për në Prishtinë. Atje ka qëndru një natë dhe dje veç është publikuar si lajm që, përveç që i është nënshtruar operacionit për probleme shëndetësore që i ka pasur, kur i është keqësu gjendja është dal që ka edhe COVID-19”, tha ai.

Besart Dreshaj nga shtabi emergjent i Komunës së Istogut tha se janë duke punuar për të parë të gjithë histroinë e lëvizjeve të gruas së infektuar ndërsa, tha se po koordinohen me nivelin qendror për masat e mëtutjeshme.

“Nga ana jonë ende nuk jemi tu e ditë se ku ka mujtë të infektohet, pasi që kjo i ka bërë këto lëvizjet që i ceka më lartë, ka qenë në pjesën e Skenderajt, të familjarët e vetë, nuk e dimë saktë ku i ka familjaret saktë ende, pastaj ka ardh ka nejtë në shpi te familja e vetë, nga aty është ardh u kontrollu në QKMF, ka shku në Pejë- ndoshta ka mujtë edhe në Pejë me u infektu me virusin, por ende nuk e dimë, nuk mujtë me paragjyku sepse lëvizjet e saj janë të shumta.”, deklaroi Dreshaj.

“Ne si shtab menjëhrë jemi mobilizuar dhe lagjja si lagje është vetë izoluar mbrëmë komplet, për shkak të sigurisë, u kemi bërë thirrje të gjithëve për vetë izolim. Jemi në koordinim edhe me nivelin qendrorë sesi të veprohet më tutje”, tha ai.

Komuna e Istogut deri më tani ka një të infektuar nga COVID-19./Kallxo.com/.