Mjeku që eksperimentoi me pacientin kosovar në Spitalin Amerikan, i dënuar me burg në Maqedoni

Kardiologu i Spitalit Amerikan në Kosovë, meqedonasi Sasho Josimovski, i cili dyshohet se i vendosi pacientit kosovar një bateri dhe dy stenta pa nevojë, ka qenë i dënuar në Maqedoni për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gazeta Sinali merr vesh se më 22 tetor të vitit 2012, Sasho Josimovski ishte i dënuar me dy vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore në Maqedoni, në rastin e njohur “Metastaza”, ku ishin të akuzuar për ndërmarrje të përbashkët kriminale 38 persona, përfshirë mjekë, zyrtarë të pensioneve dhe aftësisë së kufizuar dhe ndërmjetës.

Ndonëse me të kaluar kriminale, ky kardiolog ka ushtruar profesionin e tij prej vitesh në Spitalin Amerikan në Kosovë, duke trajtuar pacientët kosovarë që kishin kërkuar shërim në këtë institucion privat shëndetësor, shkruan Gazeta Sinjali.

Si kishte ndodhur rasti?

Procesi gjyqësor kishte nisur në fillim të vitit 2010 dhe kishte zgjatur rreth dy vjet e gjysmë deri në tetor të vitit 2012 kur ishte shpallur aktgjykimi dënues.

Mjeku nga Klinika e Kardiologjisë, Sasho Josimovski, në atë kohë 37 vjeçar,  kishte qenë Kryetari  i Komisionit për auditimin dhe konfirmimin e invaliditetit në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoni.

Sipas aktakuzës, ai së bashku me mjekët tjerë dhe zyrtarët e Fondit të Pensionit dhe Sigurimit të Aftësisë së Kufizuar, akuzoheshin për ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata kishin lëshuar diagnoza të rrejshme ndaj pacientëve për tua siguruar atyre të drejtën e përdorimit të pensionit (invalidor) të aftësisë së kufizuar si dhe kishin rekrutuar ndërmjetësues për të marr ryshfete, me qëllim të përfitimit të parave të majme.

Në aktakuzën prej 264 faqesh, në mes tjerash, përfshihen edhe deklaratat e katërdhjetë dëshmitarëve të cilët e shpjegojnë mënyrën sesi të akuzuarit kishin kërkuar prej tyre 1,500 deri në 4, 000 euro për të lëshuar pensione invalidore.

Grupi kriminal, i cili ishte formuar nga mjeku Sasho Josimovski në vitin 2008, dyshohet se për dy vjet të funksionimit kishte përfituar 165,000 euro dhe duke dëmtuar Fondin prej rreth 250,000 euro.

Nga deklarata e dëshmitarit të rrezikuar gjykata kishte konstatuar se ai e dinte tabelën organizative të dokumentacionit, që aplikantët paguanin nga 3,000 deri në 3.500 euro qofshin të sëmurë apo të shëndetshëm. 1,200 euro për pacient shkonte në komision ndërsa pjesën tjetër të shumës e ndanin ndërmjetësit dhe mjekët që shkruanin diagnoza. Disa nga dëshmitarët nuk kishin qenë asnjëherë te mjeku dhe as nuk kishin dalë në komision, megjithatë kishin marrë pension invaliditeti.

Sasho Josimovski gjatë procesit gjyqësor 22 tetor 2012

Angazhimi i mjekut me të kaluar kriminale, Sasho Josimovski në Kosovë

Përkundër kësaj të kaluare kriminale dhe dënimit me burg, kardiologu Sasho Josimovski, prej vitesh punon në Spitalin Amerikan në Kosovë dyshohet se ka dhënë aprovimin për vendosjen e një elektrostimuluesi permanent të zemrës dhe dy stentave koronare te pacienti kosovar me inicialet Sh.Sh.

Pas dy ditësh, raportohet se pacienti ka shkuar në QKUK dhe ka kërkuar një mendim profesional rreth këtij problemi. Pas kontrollit të dosjes, është konstatuar se stentat dhe eketrostimuluesi dyshohet që janë vendosur pa nevojë.

Rreth këtij rasti ka reaguar Tefik Bekteshi, drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive i cili ka nisur një shkresë për Prokurorinë, Odën e Mjekëve të Kosovcës dhe Inspektoratin e Shëndetësisë, përmes së cilës ka denoncuar shkeljet e supozuara të etikës dhe profesionit.