Mjeku Shqiptar vdes nga COVID-19

COVID-19 i ka marrë jetën mjekut shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Bëhet fjalë për 64-vjeçarin Arifhikmet Dehari, mjek specialist në qendrën shëndetësore të Tetovës. Dehari për pak muaj dilte në pension, por problemet neurologjike dhe bartja e virusit vdekjeprurës kanë shkaktuar vdekjen e mjekut shqiptar.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka njoftuar se Dehari dy javë më parë ishte shtruar në spital, ndërsa ju bën thirrje mjekëve të tjerë që të respektojnë masat.

Që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut, janë infektuar 540 mjekë me coronavirus ose 9 për qind e numrit total të të infektuarve.

Ndërkohë të dielën janë regjistruar 7 viktima nga COVID-19 dhe 115 të infektuar duke çuar numrin total të të infektuarve në RMV në 6932, ndërsa numri total i të vdekurve është 334.

Maqedonia e Veriut pas 10 ditësh mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkohë shifrat e personave të infektuar prej 4 javësh janë tepër shqetësuese.