Molliqaj ia publikon Kurtit videon ku thoshte se Thaçi është përgjegjës për zhdukjen e këtij personi

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka publikuar një video të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën ai thoshte dikur se Hashim Thaçi ishte përgjegjës për zhdukjen e Behajdin Allaqit.

Derisa, ka shtuar edhe qëndrimet e Kurtit sot, i cili doli në mbrojtje të presidentit Thaçi.

Ai madje nuk ka nguruar ta quaj Kurtin instrumentalizues.

Postimi i plotë:

Cili Albin?!

Fjalimi në videon e mëposhtme mban datën 26 shkurt 2016. Në zhvillim e sipër është seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në atmosferën e tensionuar për zgjedhjen e Thaçit president,

Kurti e bën përgjegjës Hashim Thaçin për zhdukjen e Behajdin Allaqit në kohë lufte. Këtu nuk është diskutimi nëse duhej zgjedhur Thaçi president, por deri ku shkon kufiri i përdorimit të mjeteve në luftën politike. Vetëm kur e mendon veten mjet të domosdoshmërisë historike, secili mjet të lejohet, dhe secili moment është vendimtar. Zgjedhja e Thaçit president për situatën politike sigurisht se kishte rëndësi, por për historinë është pa asnjë relevancë.

Kurti sot po flet ndryshe. Siç duket ka filluar ta kuptojë që urimet e tij “Hashim shko në Hagë” nuk po pëlqehen as prej elektoratit të tij. Lëre pastaj, që kushedi çfarë konsekuenca politike sjellë haberi i Gjykatës Kushtetuese. Cili Albin është i vërtetë? Ky i ditës së djeshme që kërkon mbrojtjen e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit nga shteti, apo ky që akuzon për vrasje. As njëri as tjetri.

Është Kurti instrumentalizues. Ata që mendojnë se Kurti paska reflektuar, ose thjesht po taktizon, duhet të kuptojnë që nuk analizohet Kurti pa ia analizuar ideologjinë. Ky vërtetë nuk sheh asgjë kontradiktore në këto dy qëndrime. Vetëm kur e mendon veten mjet të domosdoshmërisë historike, e vërteta është pashkëputshëm e lidhur me ty.