Moska “shqetësohet” nga unifikimi i diplomacisë së Prishtinës dhe Tiranës

Aleati kryesor i Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, Rusia, ka reaguar ndaj nismës së Qeverisë së Kosovës dhe asaj Shqipërisë për unifikimin diplomatik e konsullor në mes të të dyja vendeve.

Moska zyrtare e ka quajtur këtë si një hap drejt realizimit të synimeve, siç thuhet, të “Shqipërisë së Madhe”.

“Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në reagimin rus thuhet se “veprimet provokuese të Prishtinës dhe Tiranës nuk janë të rastësishme”.

Kjo linjë e udhëheqjes në Shqipëri dhe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, minon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe kërcënon stabilitetin në Ballkan”, potencohet në reagimin e Rusisë.

Madje shteti i drejtuar nga Vladimir Putin vlerëson se SHBA-ja dhe BE-ja “preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”.

Reagimi i Rusisë është në koordinim të plotë me atë të Serbisë. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, e ka quajtur marrëveshjen për bashkëpunim në politikën e jashtme të Prishtinës dhe Tiranës si përpjekje për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”, thuhet në një artikull të Radio Evropës së Lirë.