MPB: Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësimin në INTERPOL

Pas 9 vjetësh tentativë të shtetit të Kosovës që të bëhet pjesë e organizatës ndërkombëtare të policisë – INTERPOL, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë as këtë vit. Kjo pasi që Serbia është zotuar se do t’i përdorë të gjitha kapacitetet e saj në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila do të fillojë sot, me qëllim që të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i ka thënë “Zërit” se ministria që ai drejton i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara në favor të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Zakonisht ne kemi mision përgatitjet rreth çështjeve të sigurisë dhe ato janë plotësuar nga MPB-ja. Tash është problem politik i shteteve që votojnë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Pavarësisht lobimit dhe kundërshtimit që po i bëhet këtij procesi nga Serbia, ne do të mundohemi t’i arrijmë qëllimet tona”, ka thënë ai për ‘Zëri’.

Sipas tij, ndonëse kundërlobimi i shteteve mosnjohëse të Kosovës është tejet i madh, përsëri Kosova dhe institucionet e saj kanë punuar dhe duhet të jenë pjesë e kësaj organizate.

“Mekanizmi i INTERPOL-it nuk është i dobishëm vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin dhe globin. Shtetet që e kanë në dorë votimin duhet të llogarisin atë se një vrimë e zezë do të mbetet në qendër të Ballkanit. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë anëtare e INTERPOL-it. Ne bashkëpunojmë me të gjitha organet e INTERPOL-it përmes zyrës së UNMIK-ut, por ne si shtet mundësitë i kemi më të zvogëluara sesa të jemi pjesë e kësaj organizate”, ka thënë më tutje ai. /Zëri/