MPB: Ne i kemi përmbushur kriteret për anëtarësim në INTERPOL

Edhe këtë herë Kosova ka pak gjasa të marrë përgjigje pozitive nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, që pritet të mbahet në tetor të këtij viti. Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se MPJ-ja nuk po lobon sa duhet, derisa Serbia po vazhdon luftën e saj të pandërprerë kundër Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se të gjitha kriteret e INTERPOL-it janë përmbushur nga MPB-ja dhe nga Policia e Kosovës, por është në dorën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të përmbushin pjesën e tyre.

“Të gjitha kushtet që janë kërkuar nga INTERPOL-i janë plotësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, po ashtu edhe nga Policia e Kosovës. Por varet shumë nga lobimi që do të bëhet, detyrë të cilën e ka përsipër Ministria e Punëve të Jashtme dhe nuk kam informacione se deri ku ka shkuar me lobim. Ndërsa sa u përket kushteve dhe kritereve për anëtarësim në INTERPOL të kërkuara nga e Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia, ato janë të përmbushura”, ka thënë ai.

Gazeta “Zëri” ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme për këtë çështje, por ajo nuk është përgjigjur. “Zëri” tash e disa muaj ka tentuar të marrë përgjigje nga MPJ-ja, por zyrtarë të kësaj Ministrie kanë thënë se nuk duan të flasin për këtë temë.

Ndërkohë mospranimin e Kosovës në INTERPOL po e pret i bindur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili po bën lobim të vazhdueshëm që Kosova të dështojë edhe këtë herë. Daçiqi ditë më parë deklaroi se do të japë dorëheqje nga posti i tij nëse Kosova do të arrijë të pranohet në INTERPOL.

Ai rikujton se 15 vende tashmë kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shton se së shpejti do të ketë edhe vende të tjera që do ta bëjnë këtë gjë. “Nga 116 vende që kishin njohur pavarësinë e Kosovës do të mbesin më pak se 96. Për këtë aksion jam konsultuar me presidenti Aleksandar Vuçiq dhe pas kësaj qëndron qeveria e Serbisë”, ka thënë Daçiqi./Zëri/