MPJ: Nuk ka paralajmërime për çnjohje

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ditë më parë ka deklaruar se së shpejti 10 shtete të botës mund ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, ndërsa ish-drejtues të diplomacisë kosovare e fajësojnë po këtë dikaster qeveritar për tërheqje dhe mossjellje të njohjeve të reja për Kosovën, shkruan gazeta “Zëri”.

Ka një vit e gjysmë prejse Kosova nuk ka marrë njohje të re nga asnjë shtet i botës. Kosova është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre, më saktësisht 13 shtete kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje dhe rrjedhimisht e kanë tërhequr atë.

Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniqi, ka thënë për “Zërin” se deklaratat e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj janë të pabaza.

Ajo theksoi se Kosova nuk ka marrë kurrfarë paralajmërimi nga asnjë shtet për tërheqje të njohjeve. “Nuk kemi ndonjë paralajmërim të tillë si Ministri e Punëve të Jashtme. Nëse zëvendëskryeministri Hoxhaj ka ndonjë informatë është mirë ta ndajë me kabinetin qeveritar që është në detyrë dhe jo të dalë me deklarata të tilla, sepse nuk i bëjnë nder as atij e as shtetit të Kosovës. Mirëpo ne zyrtarisht nuk kemi asnjë paralajmërim të asnjë shteti për tërheqje të njohjeve”, ka deklaruar Vuniqi.

Ajo ka komentuar edhe deklaratën e presidentit çek, duke shtuar se qëndrimet e tij janë në mospërputhje me qëndrimin zyrtar të Çekisë karshi Kosovës. “Të gjithë e dimë qëndrimin e presidentit çek karshi Kosovës dhe normalisht që priten deklarata të tilla në vizitën, të cilën do ta ketë në Beograd. Mirëpo një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë, e cila kategorikisht e mohon këtë gjë. Pra, sa i përket qëndrimit të shtetit çek karshi Kosovës nuk do të ndryshojë asgjë”, ka shtuar Vuniqi.

Tutje Vuniqi si një ndër problemet me çnjohjet e përmendi edhe lobimin dhe propagandën agresive serbe./Zëri/