MPJ ua ndalon hyrjen zyrtarëve nga Beogradi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka marrë vendim për t’u ndaluar hyrjen ne Kosovë zyrtarëve serbë nga Beogradi, për të bërë fushatë për partitë serbe dhe të mbështesin ndonjërën prej tyre.

Sipas këshilltarit të ministrit të Jashtëm të Kosovës në detyrë, Jetlir Zyberaj, ka thënë se vendimi është marrë pas kërcënimeve që po i bëhen komunitetit serb në Kosovë nga ana e Beogradit zyrtar, raporton TV Arta.

“Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës. E as nuk do të tolerohen kërcënimet kundër komunitetit serb të Kosovës nga Beogradi. Beogradi e di realitetin në Kosovë dhe konform kësaj duhet të sillet, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Zyberaj.

Ndalesa e autoriteteve kosovare për t’u lejuar hyrjen në Kosovë zyrtarëve të Serbisë që të marrin pjesë në fushatën zgjedhore, nxiti menjëherë reagimin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Marko Gjuriq ka akuzuar zyrtarët e Kosovës për diskriminim ndaj serbëve gjatë fushatës zgjedhore. Gjuriqi u ka bërë thirrje serbëve nga Kosova dhe të gjithë “atyre që e ndjejnë Serbinë si shtetin e tyre” që të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, pavarësisht presionit dhe ndalesave nga pala shqiptare.

“Ata janë duke u munduar të na diskriminojnë e ne do t’i paraqesim këto shqetësime në institucionet ndërkombëtare”, ka thënë ai. / Koha.net