Mustafa: Askush s’mund ta trashëgoj rrugën që na e ka lënë presidenti Rugova, ajo i takon LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se askush nuk mund ta trashëgoj rrugën që ua ka lënë presidenti, Ibrahim Rugova.

Këtë deklaratë Mustafa e dha sot gjatë homazheve që bëri tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, në 15 vjetorin e vdekjes, transmeton Telegrafi.

“Jam këtu po ashtu që të shpreh qëndrimin dhe përkushtimin e LDK-së që ta ndjekim rrugën që na e ka lënë trashëgimi presidenti, Ibrahim Rugova e askush s’mund ta trashëgoj këtë rrugë pos LDK-së e atyre që punojnë dhe veprojnë që vepra  e tij të bëhet vepër e përhershme në Kosovë dhe jashtë saj”, ka thënë Mustafa.

Ai po ashtu tha se LDK-ja dhe Kosova e ndjejnë mungesën e figurës historike të presidentit, Ibrahim Rugova.

“T’i bëjmë nderime presidentit historik Ibrahim Rugova në 15 vjetorin e  shkuarjes së tij në amshim. Edhe LDK si krejt Kosova e ndjejmë mungesën e një figure historike e cila dha kontribut të veçantë dhe të pariparueshëm për lirinë dhe demokracinë e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Mustafa. /Telegrafi/