Mustafa kërkon dorëheqjen e Qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa po kërkon dorëheqjen e Qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit për shkak se Gjykata Kushtetuese nxorri vendimin se emërimi i Delegacionit Shtetëror ishte kundërkushtetues.

Mustafa sot tha se historia e Kosovës njeh dy president të cilët kanë dhënë dorëheqje në momentin kur e kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj sipas tij tashmë është radha e Qeverisë së Ramush Haradinajt ta bëjë një gjë të tillë.

Postimi i plotë i Mustafës në FB:

Të nderuar qytetarë

Gjykata Kushtetuese foli. Shpalli jokushtetues në tërësinë e tij Ligjin për dialogun. Shpalli jokushtetues Ekipin e Dialogut.

Ekipi, pa e pritur hyrjen në fuqi të Ligjit, i cili u kontestua nga LDK dhe VV, ushtroi veprime jokushtetuese në procesin e dialogut me para të Buxhetit. Kryeministri, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun.

Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD. Kuvendi shkeli Kushtetutën duke e miratuar një Ligj jokushtetues, të propozuar nga Qeveria.

Janë këto shkelje të Kushtetutës në proporcione gjeometrike nga koalicioni PAN.

Dy presidentë tanë kanë dhënë dorëheqje kur është konstatuar shkelje e Kushtetutës. Tani radhën e ka kjo Qeveri dhe ky Kuvend. Duhet të pajtohemi se nuk lejohet që Kosovën ta drejtojnë shkelësit e Kushtetutës.