Mustafa: Nëse ne i besojmë VV-së për kryeministër, edhe ata duhet të na besojnë për president

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit me krerët e degëve të kësaj partie ka thënë se po praktikojnë që të njoftojnë edhe Kryesinë, edhe kryetarët e degëve, ndoshta edhe Këshillin e Përgjithshëm në ditët në vazhdim, lidhur me ecurinë e bisedave që kjo parti po i zhvillon për koalicionin e mundshëm qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Që të jemi së pari transparent para anëtarësisë, veprimtarëve dhe strukturave tona, dhe po ashtu edhe para qytetarëve tanë. Meqenëse procesi po vazhdon edhe më tutje, dhe nuk është i ngurtë, sepse çdo ulje në tavolinë mundëson që të gjendet një zgjidhje e përbashkët”, ka thënë Mustafa.

Me Vetëvendësjen ka thënë se janë pajtuar për programin dhe deri diku në ndarjen e përgjegjësive, derisa ka shtuar se “kanë mbetur edhe disa çështje t’i diskutojmë edhe më tutje”.

“Ajo që ne mendojmë që është themelore, është qe ne të shtojmë mirëbesimin dhe respektin reciprok, që si partnerë të ardhshëm domosdoshmërisht do të jemi në qoftë se kemi besim njëra palë në tjetrën. Në qoftë se ky besim mungon atëherë jo vetëm që do të kemi problem në lidhjen e marrëveshjes së koalicionit, por këto probleme do të shpërfaqen edhe më vonë në qeverisjen e vendit”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se nuk ka ngrirje të qëndrimeve sa i përket pozitave të caktuara.

“Edhe çështja e presidentit mendojmë se është çështje parimore, çështje e një ekuivalence e cila duhet të krijohet mes dy partnerëve, dhe çështje e mirëbesimit ndërmjet nesh, në mënyrë që edhe ndarja e pozitave të bëhet në atë mënyrë që asnjë palë të mos dalë super e fuqishme nga ky koalicion, por të kemi pjesëmarrjen karshi votës që e kemi marrë nga qytetarët”, ka thënë ai.

“Asnjë kërkesë apo formulë personale nuk ka në këto biseda që janë zhvilluar deri më tani, por ne dëshirojmë që edhe interesat e subjekteve tona politike që i përfaqësojmë në këto bisedime edhe atë të qytetarëve që presin para besh ta barazojmë dhe të kemi përgjegjësi të barabartë edhe politike para qytetarëve tanë”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Mustafa ka thënë se sa i përket postit të presidentit, zgjedhjet nuk janë tani, por në fillim të vitit 2021.

“Kur u vjen koha, organet e LDK-së do ta bëjnë publike edhe propozimin për emrin e presidentit. Nuk është problem emri, është problemi që të kemi vullnet dhe besim. Nëse ne kemi vullnet dhe besim që ta votojmë zotin Kurti dhe t’ia japim një përgjegjësi kaq të madhe atëherë presim që të njëjtin besim ta kenë edhe ata në ne. Mos të dyshojnë se nëse dyshojnë atëherë punët nuk shkojnë mirë, nëse e eliminojnë komponentën e dyshimeve dhe të bëjmë ndryshime të cilat i meriton ky vend, atëherë mund mendoj se zgjidhjen do ta gjejmë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa nuk ka treguar se kur do të takohen me Kurtin.

“Sot nuk kemi caktuar takim. Për takime merremi vesh unë dhe z. Kurti, i koordinojmë agjendat. Dhe kur do ta bëjmë këtë do të bëhet transparente. Nuk dëshirojmë tash që të dalim dhe të nxjerrim sekuenca nga takimet tona, sepse ato pastaj po keqpërdoren po zhvillohen më tepër në ambientin e një politike populiste, sesa të një qëndrimi konstruktiv për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Mustafa. / Koha.net