Mustafa reagon ndaj Vetëvendosjes pas deklarimit të SHBA-së

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, reagoi pas deklarimit të SHBA-ve rreth zhvillimeve politike në Kosovë.

Mustafa akuzoi LVV-në si të pazotë dhe të dështuar të cilët ikën nga pushteti.

Kreu i LDK-së ka thënë se LVV duhet t’i kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për, siç ka thënë, konstruksionet e servuara parreshtur dhe fyerjet e paskurpullta të drejtuara ndaj LDK-së dhe figurave të saj.

“Të dështuarit që fajësuan SHBA-të për pazotësinë e tyre, sot duhet t’u kërkojnë falje të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe miqve tanë për konstruksionet e servuara parreshtur dhe fyerjet e paskurpullta të drejtuara ndaj LDK-së dhe figurave të saj”, ka deklaruar Isa Mustafa.

SHBA dërgon mesazh të qartë për zhvillimet në Kosovë, konfirmon se nuk ka asnjë marrëveshje sekrete për ndarje të Kosovës

Mustafa më tej ka deklaruar se reagimi i SHBA-së ka demantuar spekulimet për marrëveshje sekrete ose për ndarje të territorit të Kosovës.

“Kjo është prova më e mirë që dëshmon se ata ikën nga pushteti si pasojë e pazotësisë dhe jo nga frika për copëtimin e Kosovës. SHBA sonte demantuan spekulimet se ekziston një plan sekret për shkëmbim të territorit!”, ka shkruar Mustafa, në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.