Mustafa shpërthen në akuza të rënda ndaj kritikëve të tij, pranon se në LDK ka anarkistë, popullistë e egoistë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shpërthyer në akuza të rënda ndaj të gjitha atyre po e kritikojnë atë dhe subjektin e tij politik.

Në një shkrim të gjatë të publikuar në mediat sociale, Mustafa ka shkruar se askush nuk po ka guxim të merret me “baballarët dhe patronët e korrupsionit, krimin dhe kriminelët, subjektet në të cilat veprojnë ata, as të tallet me ta, sepse ata ua kthejnë me grusht përnjëmend ( dhe jo vetëm me grusht)”.

Mustafa ka theksuar nuk ndihet keq për kritikat që po i bëhen LDK-së.

“Dhe mua më vjen mirë që njerëzit e kritikojnë LDK-në. Mburrem se LDK nuk është subjekt që brenda ka banditë e kriminelë dhe që askush nuk ka pasoja që na sulmon, që kritikon dhe shfryhet në LDK-në. Pasi nuk guxojnë të shfryhen te tjerët”, ka shkruar ai.

Madje, kreu i LDK-së ka goditur me ketë edhe njerëzit e partisë së vet duke i quajtur ndër të tjera “edhe egoistë, karrieristë, popullistë e anarkistë”.

“LDK është e vetëdijshme se njerëzit e saj janë njerëzit e Kosovës, me të mirat dhe dobësitë e tyre. Idealistë, pragmatistë, të vyeshëm e punëtorë, besnikë, por aty këtu ka edhe egoistë, karrieristë, popullistë e anarkistë. Të tillë që me veprimet e tyre të papranueshme karrieriste në 3-4 nëndegë (prej 931-ve) prodhuan lajme, e të cilat lajme shërbyen për të mbuluar aferat e fajdeve, korrupsionit, keqpërdorimit të parasë publike, disfatave të qeverisë në arenën ndërkombëtare, vendimeve jokushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit, të njerëzve të BIA-s që e kishin këshilluar Presidentin për një kohë!?”, thuhet në reagimin e ish-kryeministrit Mustafa.

Ai nuk është ndalur me kaq duke thënë se në mesin e kritikëve ka edhe personalitete që dikur ishin në LDK dhe tash thirren në vlera të “rugovizmit për interesa të tyre” duke i etiketuar si “kërrkusha”.

Por kush janë ata që po e “godasin” LDK-në. Janë askushi. Individë që edhe në kohën e Ibrahim Rugovës e kanë braktisur LDK-në, janë shëtitur përreth globit të partive tjera, nuk kanë zënë vend askund dhe tani rikthehen për të qenë guardian të “rugovizmit” për interesa të tyre dhe të porositësve. Janë shokë, e ish shokë, zyrtarë, anëtarë publik e jopublik të PDK-së që i kanë ngritur përmendore shefit të tyre deri sa kanë përfituar bashkë, e kur janë hidhëruar mes vete, e sulmojnë LDK-në se paska qeverisur me PDK-në. Janë disa kurrkusha të LDK-së që kanë dështuar, që s’ia kanë sjellë asnjë votë LDK-së, veç se ia kanë zvogëluar, dhe gjejnë të shfryhen në partin e tyre se nuk është dashur të qeverisë me vendin. Për ta më mirë është të qeverisë kushdo me Kosovën, sesa LDK-ja, e cila tregoi se qeveris pa korrupsion dhe në mënyrë demokratike. Janë qarqe të caktuara që vet konstruktojnë lajme të rreme, siç ishte ai se Kryetari i LDK-së për tu bërë President, ia paska dhënë postin e kryeministrit VV-së, pastaj e bëjnë një gjysëmkthesë dhe hapin debat për rrena të tyre”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Ai ka shtuar se këto sulme vijnë për shkak se LDK-ja është parti e fortë dhe disa as nuk e durojnë ideologjikisht, ndërsa disa i frikësohen se do të vjen në pushtet.

“Edhe përkundër kësaj lufte LDK po qëndron parti e parë, unike në tërësinë e saj dhe e përgatitur ta drejtojë qeverinë e vendit. Prandaj LDK është e fortë, sepse e njeh vetveten dhe e njeh Kosovën”, përfundon reagimi i Mustafës.