Mustafa-VV’së: As LDK’së nuk i ka pëlqyer aktgjykimi, mos e atakoni Valdete Dakën

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme të zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka tha se Valdete Daka po vepron kundër Albin Kurtit.

Sipas Mustafës, të fajësohet Kryetarja e KQZ-së deri në kërcënim, se po e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është e padrejtë dhe e palejueshme.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Etem Arifi, në esencë është i çuditshëm, sepse më shumë përngjan në shkrim të ri të normave  kushtetuese, sesa në interpretim të normave ekzistuese, që do duhej të jetë fushëveprim i Gjykatës. Fundja vet aktgjykimi është derivat i lëndës së inicuar nga LVV”, shkruan Mustafa, transmeton Gazeta Express.

Ai thotë se as LDK-së si ka pëlqyer aktgjykimi, por nuk është e drejtë të atakohet Valdete Daka.

“As neve si LDK, s’na ka pëlqyar. Jo pse kufizon të drejtën e atyre që janë të dënuar për vepra penale të konkurrojnë për mandat ligjëvënësi, sepse nuk shkon edhe ligjëvënës edhe shkelës i ligjit, por për faktin se Gjykata e rrëzoi Parlamentin!? Pak si shumë në një demokraci Parlamentare.

Prandaj mos e atakoni zonjën Daka, sepse nuk keni të drejtë”, përfundon ai.

Ndryshe, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka thënë se akuzat e partive politike në adresë të institucionit që drejton dhe vetë saj janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e pavarur me qëllim të pamundësimit të zbatimit të Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.

Kjo konferncë e Dakës vjen pas deklaratave të mbrëmshme të zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se Valdete Daka po vepron kundër Albin Kurtit.

“Personi i cili ne KQZ po ndikon qe edhe kërkesa me qene sugjestive dhe kundër Albin Kurtit është Valdete Daka. Ata kurgjo nuk po zbatojnë (KQZ), po dojne eliminim politik”, ka thënë Konjufca ne Rtv Dukagjini.

Daka tutje ka deklaruar se çdokush që ka ankesa mund t’iu drejohet organeve kompetente./Express/