Myftiu Naim Tërnava uron Ipeshkvin Dodë Gjergji për Krishtlindje

Me rastin e Kërshëndellave, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i ka dërguar telegram urimi Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit.

“Sot, me rastin e festës së Kërshëndellave, kam nderin e veçantë t’ju  drejtohem me këtë mesazh urimi e përgëzimi Juve,  meshtarëve tuaj, si dhe  të gjithë vëllezërve të krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Kërshëndella është moment i veçantë që simbolizon e përkujton lindjen, jetën e mbarësinë. Po ashtu kjo festë  përçon në mënyrën më të mirë mesazhin për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë e humane”.

“Zotni Ipeshkëv, festat fetare te ne gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, nga to kemi mësuar e kultivuar tolerancën, harmoninë, ndërgjegjësimin për paqen, respektin dhe dashurinë për tjetrin. Zotni Ipeshkëv, nëpërmjet jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë. Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi”, thuhet në urimin e tij.