Ndërtimet pa kritere në Prizren, kush po i “mbyllë” sytë kur në pyetje është shtëpia e një gjyqtari?

Pas gati dy vite të qeverisjes lokale që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje e cila është në koalicion me LDK-në dhe Nisma , ndryshimet e premtuara nga kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka nuk vërehen aspak. Ndërtime vend e pa vend mund të hasësh gjithandej qytetit ku nuk janë repsektuar aspak kriteret e ndërtimit.

Indeksonline ka bërë një hulumtim në lagjen “Tusuz” të Prizrenit ku po ndërtohet një objekt skaj rrugës “Xhevat Berisha”. Objekti në fjalë jo vetëm që nuk është larguar nga rruga asnjë centimeter, por në katin e dytë ky objekt ashtu siç edhe shihet në foto ka dalur në rrugë me shtesë mbi një metër. E, ajo që vlen për tu theksuar është se ky objekt ka leje ndërtimore të pajisur nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit.

Indeksonline ka biseduar me banorët e lagjes por ata nuk dëshirojnë të identifikohen. Ata thonë se kjo është shtëpia e zëvëndëskryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit gjyqtarit, Artan Sejrani. Sipas banorëve, inspektorët komunalë ja kanë ndaluar punimet këtij objekti për tejkalim të lejes ndërtimore para 2 javësh dhe i kanë vendosur shiritat, por pas dy ditësh përsëri kanë filluar punimet. Edhe në ditën kur e vizituam këtë objekt puna po vazhdonte dhe nuk shiheshin gjëkundi shiritat e inspektoriatit komunal.

Indeksonline ka kontaktuar me Drejtorinë e Inspektoriatit në Komunën e Prizrenit e cila udhëhiqet nga drejtori i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, Islam Thaçi, për ta pyetur për këtë çështje, ndërsa ai pas dy ditësh ka kthyer përgjigje përmes zëdhënësit të komunës së Prizrenit, Lis Dorambari në të cilat konfirmon ndaljen e pjesërishme të punimeve.

“Punimet në objektin në ndërtim e sipër të investitorit Artan Sejrani, janë ndalur në një pjesë të objektit. Objekti në ndërtim e sipër ka bërë tejkalim në etazhitetin P1, ku pas leximit të projektit ½ është tejkalim ashtu siç shihet edhe në fotografitë e bashkangjitura.Tejkalimi është evidentuar dhe për këtë janë ndërprerë edhe punimet nga ana e Inspektoratit duke i vendosur shiritat, saktësisht në ato pjesë ku ka pasur tejkalime (fotografitë janë të bashkangjitura).Nëse do të pajiset me leje apo jo, i takon të vendosë Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor. Në pjesën e objektit ku është në përputhje me leje ndërtimore, Inspektorati nuk ka të drejtë t’i ndalë punimet. Shiritat janë të vendosura vetë​m në atë pjesë ku është bërë tejkalimi i leje” thuhet në përgjigjen e drejtorit të Inspektoriatit.

Komuna e Prizrenit bashkangjitur me pyetjet ka dërguar edhe fotografitë e shiritave të sigurisë të vënë nga inspektoriati, por në ditën që ishim ne, këta shirita nuk u panë në këtë objekt!

Indeksonline i ka dërguar pyetje Islam Thaçit se pse nuk është nxjerr vendimi për rrënim në pjesën ku ka tejkalime të lejes ndërtimore? Pas dy ditësh zëdhënësi i komunës është përgjigjur ka kthyer përgjigjie: “Vendimi për rrënim merret kur nuk zbatohet urdhëri i Inspektoratit dhe pasi të verifikohet gjendja e ndryshimit. Paraprakisht duhet të bëhen matjet gjeodezike dhe më pas të jepet përgjigjja nga Drejtoria e Urbanizmit. Ligji i procedurës Administrative dhe Ligji i Inspektoratit e rregullon çështjen e veprimit kur respektohet urdhëri i inspektoratit apo kur nuk respektohet, në rastin e dytë pra kur vazhdon veprimtaria e kundërligjshme”.

Shiritat e ndalimit të vendosura nga inspektoriati

Shiritat janë vendosur nga Drejtoria e Inspektoratit mbi dërrasat e latimit dhe fotografitë janë bërë më 11 Qershor. Nga poshtë edhe mund të mos vërehen, por, hapësira e tejkaluar është e fotografuar dhe në te nuk guxojnë të vazhdojnë punimet. Për këtë edhe ka monitorim të vazhdueshëm të inspektorëve. thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.


Indeksonline i ka dërguar pyetje edhe Drejtorit të Urbanizimit në Komunën e Prizrenit, Fatmir Memaj, për ta pyetur se a janë respektuar kriteret dhe ligji i urbanizmit kur i është dhënë leja ndërtimore këtij objekti.

“Investitori si duket ka bërë tejkalime, që dëshmohet me konstatimin nga ana e Inspektoratit, pala ka bërë kerkesë për leje për mbindërtimin, është në fazën e shqyrtimit, dhe ne kemi kërkuar nga ana e investitorit që të na sjellë inqizimin gjeodezik. Pas kësaj do të vendosim se a plotësohen kushtet për dhënien e lejes apo jo” thuhet në përgjigjien e drejtorit të Urbanizmit, Fatmir Memaj.

Por, nga drejtoria e urbanizmit nuk kemi marrë përgjigje se a i kanë përfillur kriteret dhe ligjin për ndërtime kur i është dhënë leja ndërtimore këtij objekti, a është i larguar nga rruga në bazë të rregullave investitori dhe a është paraparë në leje edhe shtesa prej 1.5 metra që ka dalur në rrugë.

Por, për këto pyetje ne nuk kemi marrë përgjigjie as pas 5 ditësh.

“Komuna ligjin e zbaton veç kujna t’ja gjajn hallin, ndërsa për njerëzit e fuqishëm dhe atyre që kanë pushtet heshtë dhe nuk ka guxim të merret me ta, kqyre t’i qysh i kanë dhanë leje për me ndërtu shpinë ky gjyqtari” thotë N.N që e ka shtëpinë afër nënkryetarit të gjykatës themelore të Prizrenit Artan Sejrani.