Ndeshja Maqedoni – Kosovë mund të shtyhet përseri

Ndeshja në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është caktuar të luhet më 4 qershor në Shkup.

Por të mërkurën mund të merret vendim për të shtyrë sërish këtë ndeshje. Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) të mërkurën do të mbajë një videokonferencë me sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave nacionale, anëtare të saj. Në konferencë do të shkëmbehen informata për përparimin e bërë nga dy grupet punuese që janë formuar dy javë më parë.

“Po ashtu do të diskutohen opsione lidhur me ricaktimin e orarit të ndeshjeve”, ka njoftuar UEFA të hënën.

Në konferencë do të diskutohet për zhvillimet që kanë të bëjnë me garat e ekipeve nacionale dhe ato të klubeve.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka konfirmuar se do të diskutohet edhe për ndeshjet e plejofit për Euro 2020.

“Gjatë videokonferencës që do ta kemi 55 sekretarët e federatave nacionale, sigurisht do të diskutohet edhe për ndeshjet e reprezentacioneve”, ka thënë Salihu të hënën për Koha.net.

Ka javë që futbolli në Evropë është pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Nuk dihet se kur do të vazhdojnë garat e futbollit, por kjo nuk pritet të ndodhë shpejtë. UEFA ka shtyrë Evropianin për vitin tjetër dhe kjo vlerësohet se krijon mundësi që ndeshjet e plejofit të luhen më vonë këtë vit apo edhe vitin tjetër.

Në gjithë Evropën po zhvillohen diskutime nëse duhet të zhvillohen tutje ligat nacionale dhe ndeshjet e përfaqësueseve aktualisht nuk janë prioritet.

Ndeshja në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është dashur të luhet më 26 mars. Tani ka mundësi të mëdha që mos të luhet as në fillim të qershorit.