Ndëshkohen ndotësit

Komuna e Prishtinës është vënë në veprim konkret ndaj ndotësve të ambientit në kryeqytetin e vendit. Bazuar në vendimin e autoriteteve komunale, nga data 1 maj është ndaluar shpërndarja e fletushkave dhe broshurave në hapësirat publike sikurse edhe në hapësirat banesore.

Kështu kjo komunë i ka njoftuar publikisht kompanitë dhe bizneset që shfrytëzojnë fletushkat dhe broshurat si formë marketingu që secili rast i evidentuar do të gjobitet me 90 euro gjobë mandatore.

Kur fletushkat shpërndahen në shumë hyrje, e në shume kate, dënimi prej 90 euro shumëzohet dhe kjo shumë rritet.

“Ju bëjmë thirrje kompanive dhe bizneseve edhe njëherë, që ta ndalin këtë lloj të marketingut , konsiderojnë forma tjera të reklamimit dhe që t’i respektojnë ligjet, udhëzimet administrative dhe rregulloret, në mënyrë që të shmangin gjobat” thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.