Ndikimi rus brenda Kosovës

Në një studim të Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, thuhet se ndikimi rus në Kosovë mund të kategorizohet në nivelin mesatar dhe se ky ndikim ushtrohet përmes serbëve të Kosovës të cilët shfrytëzohen për të krijuar paqëndrueshmëri të brendshme politike.

Në studimin “Ndikimi rus në Kosovë nën hijet e mitit dhe realitetit”, autori i tij, Elis Vllasi i tha Zërit të Amerikës se Kosova si çdo shtet tjetër në Ballkan por edhe më gjerë, përballet me një shkallë rreziku nga ndikimi negativ rus.

“Rreziku më i madh në Kosovë është ai rreziku i fshehur të cilin popullata e gjerë por edhe ne që e studiojmë këtë temë nuk kemi njohuri për arsye se shteti mundet të mos e dijë se a ka ndonjë subverzion e po ashtu nëse shteti e dinë nëse ka një subverzion të rusëve në Kosovë atë nuk e publikon, kështu që në një farë mënyre është niveli i fshehur i rrezikshëm për arsye se shërbimet e huaja operative posaçërisht ato ruse operojnë në hije edhe ti e dinë vetëm atëherë kur të nxinen ata, kur nuk nxinen, nuk e dinë a janë duke vepruar apo në cilën nivel janë duke vepruar, pra ky është niveli të cilin nuk e shohim pra niveli në hije”, tha ai.

Vllasi thotë se ndikimi rus është i shtrirë në mjediset ku jetojnë serbët të cilët e shohin Rusinë si aleatin kryesor të Serbisë.

“Duke marrë parasysh se serbët e njohin se pa ndihmën ruse ata e kanë edhe më shumë të humbur Kosovën ata lejojnë që të bëhen në një farë mënyre vegël e ndikimit rus në Kosovë ku dihet se Rusia nuk është që në Kosovë e lufton popullin kosovar apo ndoshta edhe në një farë mënyre edhe shtetin Kosovar, po në Kosovë, Rusia e lufton ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkësisë Evropiane, organizatave ndërkombëtare numër një, numër dy në Kosovë, Rusia përmes Kosovës e blen ndikimin e saj që don ta ushtroj në vet Serbinë”, tha Vllasi.

Mefail Bajqinovci që është pjesë e Komisionit parlamentar për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes thotë se Rusia ushtron tërthorazi ndikim në Kosovë duke shfrytëzuar siç thotë instrumentin e Serbisë, Listën serbe, që është subjekti kryesor politik i serbëve në Kosovë.

“Rusia ka prezencë jo të vogël në Kosovë. Zyra e saj në Prishtinë ka përbërje të diplomatëve, në thonjëza që mund t’i quash, që shumica besojnë se janë të kamufluar dhe në esencë janë pjesëtarë të shërbimeve intelegjence”, tha Bajqinovci.

Ai thotë se një shqetësim tjetër mbetet mos kontrollimi i zyrtarëve të Rusisë që hyjnë në Kosovë pa u verifikuar.

“Mos të harrojmë se Rusia ka prezencë edhe përmes organizatave ndërkombëtare sidomos përmes UNMIK-ut. Mbajtësit e pasaportave diplomatike ruse hyjnë në Kosovë pa viza dhe ky përbën një kërcënim për sigurinë e Kosovës sepse ata hyjnë pa u kontrolluar, verifikuar dhe askush nuk e dinë asgjë për ta”, tha ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim në Kosovë janë shtuar dhe kjo sipas tij pasqyrohet edhe përmes strategjisë ruse për shtrirje gjeo-strategjike në Ballkan.

“Diku dy kapituj nga kjo strategji i kushtohen Kosovës dhe mënyrës se si duhet veprohet në aspektin e qëndrueshmërisë apo shtrirjes ruse edhe në aspektin propagandistik nëpërmjet medieve shumë të forta siç janë Sputnik dhe Russia Today me një propagandë agresive por edhe në aspektin diplomatik në kuptim edhe në mes të shërbimit së inteligjencës në ministrinë e Jashtme por edhe atë ushtarake por edhe në inteligjencën ruse”, tha Ibishi.

Vllasi thotë se institucionet duhet të investojnë për të luftuar ndikimin rus në Kosovë.

“Kosova, qeveria e Kosovës duhet të ketë një farë mënyrë organizma mbrojtës ndaj ndikimit. Duhet të kuptojmë se ndikimi rus është gërryes në Kosovë. Duhet të krijojnë një farë mënyre me ndihmën e të huajve normal, shembull sikurse në SHBA por edhe në shtetet tjera ekziston komanda kibernetike, e cila një farë mënyre lufton sidomos sulmet e mëdha që ndodhin ndaj një infrastrukture kibernetike ndaj një shteti, fatkeqësisht atë nuk e ka, Kosova po ashtu nuk ka një sistem mbrojtës themelor”, thotë Vllasi.

Ibishi thotë se rrezik për rajonin kohëve të fundit mbetet edhe armatosja e Serbisë nga Rusia dhe vetmja siguri mbetet anëtarësimi i Kosovës në NATO.

“Vetë lidershipi i Kosovës por edhe në bashkëpunim me partnerët tonë strategjikë në rend të parë SHBA-të, vendet e BE-së por edhe vendet fqinje por edhe sidomos në anëtarësimin në organizata rajonale ushtarake siç është Karta e Adriatikut por edhe vet anëtarësimi jonë përmes partneriteti për paqe në NATO na jepin premisa të mira që ne të hyjmë në ombrellën e NATO-s dhe njëkohësisht të jetë ky rrezik dhe kërcënim nga Rusia më i vogël për një Kosovë e vogël çfarë jemi”, tha Ibishi.

“Aspekti tjetër që Kosova mund të bëjë me një kosto shumë të vogël është ligji për media, në Kosovë sa kam njohuri mungon ligji për media ku dihet se kush është pronari i vërtetë, nga vijnë fondet për financimin e mediave, po ashtu në Kosovë nuk ka ndonjë transparencë mediatike ku luftohet dukuritë negative, shumë gazetarë e kompani mediale ju mungojnë aftësitë për hetimin e fakteve për të ditur a është ndonjë lajm i vërtetë apo i rrejshëm po ashtu me programe shkollore, populli në Kosovë, gjeneratat e reja kanë një nivel shumë të ulët të alfabetizmit mediatik dhe digjital, çdo send që është në internet dhe paraqitet në Facebook një farë mënyre pranohet si e vërtetë edhe mundësia e të rinjëve por edhe të vjetërve ju mungojnë aftësia për të përdorur aftësia e mendimit kritik për të vlerësuar”, thotë Vllasi.

Vllasi thotë se Rusia tashmë i ka bërë dëm Kosovës duke ngadalësuar njohjen e pavarësisë së saj nga shtete të ndryshme dhe pengimin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe në tërheqjet e njohjeve të pavarësisë.

“Kosova bën tejet gabime kur gjithmonë negocion sovranitetin e saj me Serbinë edhe për derisa Kosova merr pjesë me Serbinë ku serbët në një farë mënyre këtë e tregojnë se janë bisedime për rinegocimin e statusit të Kosovës dhe me këtë e bëjnë diplomacinë botërore me këtë, atëherë shumë shtete nuk janë të interesuara dhe krejt bota nuk është e shqetësuar me Kosovën që të bëjnë kërkimet e veta dhe e pranon diplomacinë serbe se këto dy shtete ende janë duke negociuar statusin e Kosovës”, thotë Vllasi. /VOA/

Tags: ,