Në këto vende viti 2021 do të jetë më shkatërrues se viti 2020

Optimizmi rreth vitit 2021 ka nisur të shfaqet në disa vende të botës, si SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ku vaksinimet kanë nisur, por për shumë vende të tjera, pasojat e pandemisë mund ta bëjnë vitin e ardhshëm edhe më shkatërrues se 2020.

Koronavirusi, i kombinuar me ndryshimin e klimës dhe konfliktet, pritet të përkeqësojë krizat tashmë të gjata në shumë vende në zhvillim vitin e ardhshëm, sipas një raporti të ri nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC).

Pavarësisht nga graviteti i pandemisë, ndikimi i drejtpërdrejtë i Covid-19 në zonat ku operon IRC ishte më pak i dëmshëm sesa pritej, tha të martën CEO i organizatës, David Milliband. Por, pandemia erdhi me efekte anësore katastrofike, shtoi ai, duke përfshirë ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit, urinë dhe largimin e njerëzve nga spitalet, apo trajtimin e dobët për sëmundje të tjera, përfshirë malarjen.

Sipas raportit, varfëria ekstreme e shkaktuar nga bllokimet dhe mbylljet e kufijve, për shembull, mund të shkaktojë zi buke në Sudanin e Jugut, Burkina Faso dhe Jemen, paralajmëron organizata.

Në përgjithësi, 20 vendet në listën e IRC përfaqësojnë vetëm 10% të popullsisë globale, por përbëjnë 85% të atyre në nevojë humanitare.

Ndërsa, Milliband përshkroi zhvillimin e vaksinave Covid-19 si një histori jashtëzakonisht pozitive për shkak të bashkëpunimit të kompanive private dhe njësive publike në kërkimin dhe zhvillimin e një game të gjerë vaksinash në kohë rekord, ai theksoi vështirësinë e sigurimit dhe shpërndarjes së dozave për vendet ku financimi dhe infrastruktura shëndetësore janë të kufizuara.

I pyetur nga CNN rreth shpërndarjes së mundshme të vaksinave në vendet në zhvillim, vitin e ardhshëm, shefi i IRC nuk u tregua optimist.

“Mungesat e furnizimit të vaksinave Covid-19 nënkuptojnë që shumica dërrmuese e njerëzve, në kontekste të brishta dhe humanitare edhe në shtete me të ardhura të ulëta apo të mesme, nuk do të jenë në gjendje të përdorin një vaksinë Covid-19 në 2021”, tha ai.