Në kohë pandemie tentojnë të shesin mish me prejardhje të dyshimtë

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prizrenit, gjatë një aksioni kanë konfiskuar një sasi të mishit me prejardhje të dyshuar.

Aksioni është kryer së bashku me njësinë e krimeve ekonomike.

Lajmin e konfirmoi Drejtori i Inspektoratit, Islam Thaçi, i cili për Lajme365 deklaroi se personi i cili ka kryer këtë veper do të jap përgjegjësi ligjore.

“Kemi shkuar me procedurë të rregullt, janë asgjësuar 10 krerë mish dhe ai do të jep përgjegjësi ligjore për këtë veprim”, ka thënë Thaçi.

Për këtë rast ka reaguar edhe zyrtari i PDK-së në Prizren, Visar Islamaj, duke akuzuar se pronari i mishit të konfiskuar është i afërt i Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Se sa i fuqishëm është pushteti për të kontrolluar institucionet, tregon rasti i konfiskimit të mishit si në foto, pronë e një të afërmi të Mytaher Haskukës. Shpresoj se organet e rendit do të japin hollësi më tepër lidhur me këtë rast. Po presim”, ka shkruar Islamaj në Facebook.

I pyetur nga Lajme365, për këtë akuzë ka folur drejtori i inspektoratit të Prizrenit, Islam Thaçi, duke thënë se nuk e kanë kursyer askënd, dhe as kryetari Haskuka nuk ishte në dijeni për aksionin.

“Aksioni është i inspektoratit dhe njësisë së Krimeve Ekonomike. Nuk e kemi kursyer as për afërsinë familjare me kryetarin! Madje as që e ka ditur Kryetari”, ka thënë Thaçi. / Lajme365.com