Në Mitrovicë hapet “Aqua Parku” më i madh në vend e rajon

Sot është bërë ceremonia zyrtare e hapjes së Parkut Ujor “Aqua Park” afër Liqenit Akumulues në qytetin e Mitrovicës.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, zv.ministri i MMPH-së, Gjergj Beka, zv.ministri i MZHE-së, Sami Zeka, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues nga kompanitë të cilët kanë realizuar këtë projekt “Arjeta Group”, “Linprojekt” si dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se ky projekt madhor i realizuar buzë Ibrit është një nga destinacionet më atraktive të vendit, ndërsa që hapësira përgjatë Ibrit do të jetë hapësira më e rregulluar në Ballkan.

“Mitrovicasit më nuk do të shkojnë nëpër komuna të tjera të vendit për tu freskuar në pishinat e atjeshme. Ata do të kenë këtu pishinat më bashkëkohore, të mbyllura dhe të hapura, olimpike dhe gjysmë olimpike. Jam i bindur se qytetarët e komunave të tjera do të vijnë në Mitrovicë për të shijuar bukuritë përgjatë lumit Ibër”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, tha se në qytetin e Mitrovicës po realizohen projekte të shumta siç është Universiteti “ Isa Boletini”, Liqeni Akumulues, “Aqua Park”, rinovimi i stadiumit “ Adem Jashari” të cilat po e zbukurojnë më shumë qytetin.

Ndërsa Afrim Durmishi, pronar i “Arjeta Group”, njëra nga kompanitë investitore në këtë projekt, tha se realizimi i këtij projekti është shumë i kënaqshëm dhe do të plotësoj nevojat e qytetarëve, jo vetëm të Mitrovicës, por edhe më gjerë.

Po ashtu ai tha se kjo është vetëm faza e parë e përfunduar e këtij projekti ndërsa do të jenë edhe dy faza të tjera të cilat do të jenë shumë atraktive për qytetarët të cilët do ti vizitojnë.

Pishina e hapur ku qytetarët e Mitrovicës do të freskohen gjatë kësaj vere, ka një sipërfaqe prej rreth 2.000 metra katrorë, lumi “dembel” ka një gjatësi prej 300 metrash etj.

“Aqua parku”, ka një infrastrukturë të rregulluar mirë e cila ofron pamje jashtëzakonisht të bukur, ndërsa do të jetë pikë turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve.

Investitorë të këtij projekti që kap vlerën mbi 7 milionë euro është SH.A. “ACI”, që është themeluar nga “Arjeta Group” dhe “Linprojekt’, të dyja kompani vendore, ndërsa komuna e Mitrovicës ka mbështetur projektin me ndarjen në shfrytëzim të hapësirës komunale.