Në një vjetorin e miratimit të ligjeve për FSK-në kryeministri Haradinaj vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Harainaj, në një vjetorin e miratimit të ligjeve për FSK-në, ka vizituar sot Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj, është pritur nga ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama.

Me këtë rast, ministri Rrustem Berisha i ka dorëzuar kryeministrit Haradinaj, raportin njëvjeçar të punës së Ministrisë së Mbrojtjes, ku përfshihen aktivitetet dhe të arriturat e këtij viti.

Pas takimit, kryeministri në detyrë Haradinaj, në fjalën e tij para kadetëve të FSK-së, tha se nesër bëhen një vit nga votimi i ligjeve për Ushtrinë e Kosovës, për Ministrinë e Mbrojtjes për Shërbimin Ushtarak dhe vetë mandatin e Forcës së Sigurisë, me ç’rast deputetët e Kuvendit votuan unanimisht dhe mandatuan Ushtrinë e Kosovës me detyrën e vet mbrojtëse, në bazë të Kushtetutës së vendit dhe ligjeve në fuqi.

“Mendoj dhe besoj që sot pas një viti mund t’i premtojmë qytetarëve të Kosovës, partnerëve tanë, që po shkojmë në hapa të sigurt dhe po i arrijmë objektivat e deklaruar në bazë të vendimit të deputetëve. Ne jemi në dinamikën e duhur dhe sigurt po ecim, dhe për këtë shpreh falënderim për ministrin Berisha, Ministrinë e Mbrojtjes, po ashtu gjithët oficerët komandues të të gjitha niveleve të prirë nga gjeneral Rama”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Duke folur për objektivat e ushtrisë së Kosovës, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se ndonëse jetojmë në Ballkan ku asnjëherë nuk përjashtohet lufta, dhe me këtë jo se ne e dëshirojmë ose e nxisim ndonjë luftë, por ne dëshirojmë të punojmë që të jemi të zotë të mbrohemi dhe që kurrë të mos vijmë deri të lufta.

“Për këtë arsye ne synojmë edhe rreshtimin tonë me ushtritë e paqes, të botës të prirë nga Amerika. Ne i takojmë këtij rreshti dhe aftësohemi të bëhemi anëtar në NATO, në afatin më optimal kohor. Ju jeni kadetë, jeni në rrugëtim e sipër që të formoheni për përgjegjësitë që do t’i mbani në Ushtrinë e Kosovës. Jemi shumë të nderuar për pjesëmarrjen e kadetëve nga Ushtria shqiptare, por edhe kadetëve të tjerë, por ajo që dua t’ju them, ju siguroj se gjithë jetën e juaj do të jeni krenarë për vendimin e juaj që të jeni ushtarak dhe të përballoni sfidat gjatë periudhës sa jeni në akademi dhe t’i shërbeni popullit tuaj”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke uruar edhe festat e fundvitit për gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe familjet e tyre.
Në fund, kryeministri në detyrë Haradinaj i ndau medaljen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, për „Shërbimin e shkëlqyeshëm ndaj Atdheut“.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, falënderoi kryeministrin Haradinaj për medaljen e dhënë, duke thënë se kjo nuk është meritë vetëm e tij, por e të gjithë djemve dhe vajzave që shërbejnë në FSK, pa të cilët nuk do të ishin këtu ku jemi.

“Falë angazhimit, përkushtimit, disiplinës dhe profesionalizimit të treguar ne jemi sot këtu. Është edhe një angazhim shtesë për gjithë FSK-në, që në të ardhmen t’i kryejmë detyrat dhe obligimet tona bazuar në mandatin dhe misionin e ri dhe ju siguroj se do të jemi të gatshëm në çdo kohë, në çdo moment për çfarëdo vështirësie që i paraqitet qytetarëve të vendit, por edhe jemi të gatshëm që të kontribuojmë në misione paqeruajtëse”, tha gjenerallejtënant Rama, duke theksuar se ky është obligim dhe detyrë e jona.