Në Prizren mbahet mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi

Në sallën e Kuvendit Komunal sot është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, e cila u drejtua nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Pas miratimit të rendit të ditës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës njoftuan rreth gjendjes së sigurisë në Komunën e Prizrenit, ku u theksua se siguria në vend është në nivel të kënaqshëm.

Gjatë kësaj mbledhjeje kryetari Haskuka informoi për hapat e ndërmarra për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me sigurinë, si luftimin e zjarreve, duke bërë rekrutimin e 30 zjarrfikësve të rinj në Komunën e Prizrenit gjatë këtij viti, si dhe për çështjen e qenve endacakë, ku njoftoi se ka filluar ndërtimi i qendrës për trajtimin e qenve, e cila nuk ka ekzistuar më parë në kuadër të Komunës së Prizrenit. Ai po ashtu njoftoi opinionin publik se trajtimi i kësaj çështjeje po bëhet në bazë të procedurave të parapara në kuadër të ligjeve të Kosovës dhe se njëra prej tyre është sterilizimi, i cili po realizohet në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Kryetari Haskuka po ashtu kërkoi kujdes të veçantë nga Policia e Kosovës për çështjen e lypsarëve si dhe lëvizjen e veturave në sheshin e Shatërvanit, njofton Komuna e Prizrenit.

Gjatë kësaj mbledhjeje drejtori i Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri Faruk Dakaj njoftoi për çështjen zgjerimit dhe mirëmbajtjes së kamerave të sigurisë, me ç’rast bëri të ditur se kapaciteti i kamerave i cili aktualisht është 70, do të rritet në mbi 150.

Kurse drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Egzon Elshani dha informacione lidhur me çështjen e ariut, me ç’rast njoftoi se për mbështetjen dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve në fshatin Pouskë, është inicuar kujdestaria 24 orëshe dhe se drejtoria është duke i zbatuar rekomandimet e ekspertëve për mbajtjen e ariut sa më larg prej vendeve të banimit.

Drejtori Elshani njoftoi se deri më tani nga fermerët janë pranuar 5 ankesa për sulmet e kryera nga ariu dhe se është bërë evidentimi i të gjitha dëmeve të shkaktuara nga këto sulme, me ç’rast është kërkuar kompensimi i tyre nga institucioni përgjegjës, përkatësisht Ministria e Mjedisit. Drejtori Elshani po ashtu njoftoi se gjatë vitit 2018 dhe në 3 mujorin e parë të vitit 2019 janë trajtuar 800 qenë endacak dhe se gjatë viteve 2019-2020 pritet që të trajtohen 2000 qenë, njofton Komuna e Prizrenit.