Në Prizren u mbajt tryeza “ Trajtimi i fëmijëve në raste të dhunës dhe abuzimit”

Drejtoria e Administratës në Prizren, në bashkëpunim me OJQ “Nevo koncepti”, të martën kanë  organizuar tryezë diskutimi me temën “ Trajtimi i fëmijëve në raste të dhunës dhe abuzimit”. Pjesë e këtij takimi përveç zyrtarëve komunal dhe organizatës “ Nevo koncepti”, ishin nxënës, anëtarë të Asamblesë Komunale të Fëmijëve, zyrtarë të Policisë, Prokurorisë dhe të institucionëve tjera.

Drejtori i Administratës, Osman Hajdari, tha se në këtë takim po shqyrtojmë një temë mjaft të ndjeshme, dhe ne si komunë përveç angazhimeve të mëhershme në hartimin e rregullores së të drejtave të femijëve e cila është miratuar nga MAPL, po mundohemi të shfrytëzojmë potencialin institucional për mjedis më të përshtatshëm për zhvillimin e fëmijëve përmes mekanizmave përkatës.

Drejtori ekzekutiv i OJQ “ Nevo koncepti”, Osman Osmani, tema për të cilen po diskutojmë mund të luftohet dhe parandalohet, nëse angazhohemi bashkërisht në promovimin e të drejtave të fëmijëve. Zyrtarja e QPS-së, Alltone Berisha, tha se dukuria e rasteve të dhunës dhe abuzimit të fëmijëve është aktive, dhe tregoi për trajtimin që i bëhet fëmijëve në raste të dhunës, ndërsa shqetësim na paraqet mungesa e psikologut në këtë institucion, që do ndikonte në përmirësimin e shërbimeve që i nevojiten viktimave të mundshme.

Ndërkaq, Shemsije Januzaj nga Policia e Kosovës, tha se ky institucion merret seriozisht me rastet e dhunës në familje si dhe abuzimit me fëmijë, dhe apeloi që rastet e tilla të paraqiten në këto organe, që do të ndikonin më pas në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie. Edhe pjesëmarrës tjerë në këtë tryezë dhanë kontributin e tyre përmes diskutimeve rreth temës së takimit, ndërsa të gjithë u pajtuan se me miratimin e Ligjit për të Drejtat e Fëmijëve, gjendja nuk do të ishte aq e rëndë saj përket dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.