Në QNR fillon rinumërimi i 494 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen 494 vendvotime nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Ky proces i rinumërimit tashmë ka filluar në Qendrën e Numërimit dhe rezultateve, nga ku ka folur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Ai ka bërë të ditura edhe arsyet për çka është vendosur që të numërohen këto vendvotime.

“Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve”, tha Elezi para medieve.

Po ashtu, një arsye tjetër është që  gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi.

“Në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik. Në 83 vendvotime, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas”, u shpreh ai.

Po ashtu, Elezi njoftoi se numri i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë dhe 12 vendvotimet e rinumëruara javën e kaluar, është: 506 vendvotime. /Telegrafi/

Tags: ,