Negociatat LVV – LDK, dialogu me Serbinë do të kalojë në nivel politik

Grupet punuese, ai i LVV-së dhe ai i LDK-së, kanë mbajtur takimin e dytë gjatë ditës së djeshme. Me këtë rast të dyja palët janë dakorduar rreth agjendës së takimeve për 14 ditët e ardhshme. Kjo agjendë, siç deklaruan pjesëmarrësit e negociatave, do të orientohet drejt zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, rendit e ligjit, si dhe rreth politikës së jashtme, shkruan sot gazeta “Zëri”.

LVV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar takimin e dytë në kuadër të grupeve punuese gjatë ditës së djeshme. Pas më shumë se një orë diskutimesh, pjesëmarrësit e takimit njoftuan të mërkurën se dy subjektet kanë koordinuar agjendën e takimeve për dy javët e ardhshme. Me këtë rast ata bënë të ditur se takimet në nivel të ekipeve do të zhvillohen çdo të tretën ditë.

Rrjedhimisht grupet punuese, ai i LVV-së dhe ai i LDK-së, takimin e radhës do ta mbajnë të hënën e javës së ardhshme. Negociatat e djeshme zyrtarët e këtyre partive i cilësuan pozitive dhe kontribuuese në përafrimin e qëndrimeve.

Formati i qeverisë së ardhshme, respektivisht shkrirja e disa ministrive në disa dikastere qeveritare, ka qenë njëra prej temave që është diskutuar të mërkurën. Ndonëse edhe dialogu ka qenë pjesë e bisedave të djeshme, përfaqësuesit e takimit kanë pohuar se çështja e negociatave me Serbinë do të kalojë në nivel politik, rrjedhimisht do të bëhet pjesë e diskutimeve mes liderëve të të dyja partive. /Zëri/