Nëna dhe foshnja 15-ditëshe nga veriu i Mitrovicës me COVID-19, transferohen në Beograd

Një grua dhe foshnja e saj 15-ditëshe nga veriu i Mitrovicës kanë testuar pozitive për koronavirus.

Qendra klinike në veri të Mitrovicës mbrëmë ka transferuar në klinikën “Dr Dragisha Mishoviq” në Beograd një grua dhe foshnjen e saj 15 ditëshe pas testit pozitiv për koronavirus.

Lajmi është konfirmuar për Kosovo Oline nga doktori Zlatan Elek, drejtor i Qendrës Klinike në veri të Mitrovicës.

“Një nënë dhe foshnja e saj janë transferuar mbrëmë në Beograd në spitalin Dragisha Mishoviq. Ata janë në gjendje të mirë. Tek ata është konfirmuar se janë infektuar me koronavirus”, deklaroi ai.

Shefi i Departamentit të Fëmijëve të Qendrës Klinike në veri të Mitrovicës , doktori Zoran Saviq ka thënë se nëna dhe fëmija 15 ditëshe vijnë nga Zubin Potoku dhe tashmë gjenden në spitalin “Dr Dragisha Mishoviq” në Beograd.

“Në klinikën tonë nëna dhe fëmija janë pranuar më 13 prill, të nesërmen janë testuar dhe rezultatet kanë dëshmuar se janë pozitive. Sipas deklaratave nga nëna, ajo nuk kishte asnjë simpton, kurse fëmija në mbrëmjen e parë kishte nevojë për oksigjen, të nesërmen ka qenë shumë më mirë”, tha Saviq.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në komunat me shumicë serbe në Kosovë është aktualisht 58, dy persona kanë humbur jetën kurse tre të tjerë janë shëruar.