Nenad Rashiq: Nuk bashkëpunojmë me Listën Serbe, janë veç instrument i Beogradit

Politikanët serbë të Kosovës kanë krijuar një koalicion të ri politik për zgjedhjet e 6 tetorit.

Kjo është konfirmuar nga politikani serb Nenad Rashiq ditë më parë.

Nenad Rashiq (PDS), Rada Trajkovic (EPS), Dragisha Miriq (NPK), Slavisha Petkoviq dhe Branislav Markoviq janë pjesë e koalicionit politik të formuar.

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve Rada Trajkoviq ka thënë ditë më parë se kushti i saj i vetëm për hyrje në një koalicion me partitë opozitare serbe nga Kosova është kundërshtimi i Listës Serbe dhe politikës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërkohë, politikani serb dhe shefi i Partisë Progresiste Serbe, Nenad Rashiq në një prononcim për lajmi.net ka thënë se besojnë të krijojnë balanc në zgjedhjet e tetorit.

Gjithashtu, ai ka thënë se ka mundësi që këtij koalicioni t’i bashkohen edhe politikanë të tjerë serbë, duke treguar se kanë pasur bisedime.

“Po, patjetër besojmë shumë që do të jemi një balanc për zgjedhjet. Jeni informuar që kemi krijuar në koalicion, por ne edhe sot kemi pasur takime për koalicione të reja me njerëz që janë përfaqësues autentik të serbëve të Kosovës. Por, ne kemi një program politik që ka bazë vendimmarrjet e serbëve lokalë të Kosovës dhe një angazhim më institucional për të mirën e krejt vendit. Siç thashë, presim që sot edhe nesër, kemi edhe pak kohë të shohim eventualisht edhe disa koalicione të tjera dhe jemi në bisedë për një gjë të tillë.””, tha Rashiq për lajmi.net.

I pyetur nga lajmi.net nëse ky koalicion mund të bashkëpunojë edhe me parti shqiptare, Rashiq ka thënë se në këtë moment, nuk kanë arritur të analizojnë situatën befasuese pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Shikoni, të them të vërtetën, me gjithë vullnetin politik do të isha i gatshëm që të mendoj për një gjë të tillë, por duke u bazuar në programin politik që pikë kryesore e ka rritjen ekonomike që është më së shumti në dobi të Kosovës, por në këtë moment për shkak të një befasie për datën e zgjedhjeve, nuk kemi pasur thjeshtë kohë të operojmë ose analizojmë se sa mund të ndodh”, tha Rashiq.

Më tutje, shefi i PDS-së, ka thënë se është i interesuar që të ketë bashkëpunim të mirëfilltë institucional për të mirën e vendit, ndërsa shprehet se në të ardhmen mund të ketë bashkëpunim.

“Në këtë moment nuk ka kohë, por unë që në momentin e parë para 6 – 7 vjetësh kam thënë se do të mundohemi të krijojmë një moment ku nuk është me rëndësi nëse partitë politike janë serbe ose shqiptare, por ato me programin më të mirë për zhvillim që pastaj tregon profesionalitetin e partive politike. Por në këtë moment nuk kemi pasur shumë kohë, por shpresoj që në vitet në vijim do të kemi rastin dhe unë jam i gatshëm në një moment tjetër të mendoj për një gjë të tillë”, tha Rashiq për lajmi.net.

Rashiq është shprehur i hapur për bashkëpunim me partitë shqiptare pas rezultateve të zgjedhjeve, duke thënë se ka vullnet për bashkëpunim dhe se ka besim në institucionet e Kosovës.

“Po, pa problem. Madje unë shpresoj që kam treguar në çdo moment, jo vetëm vullnet për bashkëpunim dhe besim të institucioneve, por vazhdimisht kemi krijuar kushte për bashkëjetesë dhe integrimin dhe profesionizmin”, tha Rashiq.

I pyetur nëse ky koalicion do të bashkëpunojë me Listën Serbe, Rashiq është shprehur i prerë se nuk do të ndodh një gjë e tillë.

Ai tha se nuk sheh hapësirë për bashkëpunim me Listën Serbe, pasi ata janë sipas tij instrument i Beogradit dhe nuk punojnë për serbët e Kosovës.

“Shikoni, unë zakonisht nuk e përdori fjalën si vi e kuqe, sepse në politikë nëse ka një interes gjithëpërfshirës ia vlen të diskutohet. Por në këtë moment nuk shoh hapësirë për bashkëpunim me Listën Serbe, as para dhe as pas zgjedhjeve, sepse ata janë vetëm instrument të një partie politike në Beograd, që e përdorin vetëm për interesa të atyre dhe jo për serbët e Kosovës dhe pra nuk pajtohemi në esencë. Nuk jam i interesuar të jem instrument i askujt, përveç popullit të Kosovës”, tha Rashiq në fund.

Vlen të theksohet se Lista Serbe gjithmonë ka pasur shumicën dërmuese të votave në Kosovë dhe kanë siguruar ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Gjithashtu, kjo listë, ka koordinim të vazhdueshëm me Qeverinë e Serbisë dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe shumë shpesh kanë penguar punën në institucionet e vendit. / Lajmi.net