Nënkryetarja e VV-së, Kollçaku thumbon PAN-in

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka reaguar në prag të fushatës elektorale ajo ka theksuar se keqqeverisja e PAN-it e ka varfëruar qytetarin, duke ia humbur shpresën se ndonjëherë do të bëhet mirë në këtë vend.

“Formimit të një Qeverie i paraprin propozimi për mandatar nga subjekti apo koalicioni fitues në zgjedhje. I njëjti, pastaj, propozon ministrat e Qeverisë së tij. Thënë me gjuhë popullore, i bie që Kryeministri do të duhej të ishte zot shtëpie. Pra, patëm një PAN Qeveri dhe një PAN Kryeministër. Nuk ka mundësi të ndahet njëra nga tjetra. Kushdo që mendon ndryshe, ta fyen logjikën e thjeshtë të të menduarit. Në të kundërtën, Kryeministri do të duhej të distancohej nga Qeveria të cilën e ka udhëhequr, e që do të ishte non sens i llojit të vet”, ka shkruar Kollçaku që sipas saj vetëm në kohë fushate, në një shtet sui generis si Kosova ndodh kjo.

Tutje nënkryetarja e VV-së deklaron se në të gjitha fushatat zgjedhore, dalin ish-pushtetarët, që ushtruan postet më të larta, duke kërkuar votën me oferta që bien në kundërshtim të plotë me programin me të cilin qeverisën vendin.

“Programe të cilat i pasuruan ata, duke i shndërruar në milionerë, ndërsa e varfëruan qytetarin në atë masë, duke ia humbur shpresën se ndonjëherë do të bëhet mirë në këtë vend. Atë shpresë ata tani e kërkojnë vetëm jashtë Kosovës”, deklaron Kollçaku. / Zeri