Nesër bëhet inaugurimi i presidentit të Maqedonisë së Veriut

Gjatë ditës së nesërme, Pendarovski do të inaugurohet në mbledhjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me çka zyrtarisht do ta fillojë mandatin 5-vjeçar.

Deri më tani është konfirmuar prania e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, atij të Kosovës, Hashim Thaçi, të Bullgarisë, Rumen Radev, të Serbisë Aleksandar Vuçiç, si dhe zv/ministri i Jashtëm turk dhe shefi i çështjeve të BE-së për vendin, Faruk Kaymakcı, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, ministri i Jashtëm grek, Georgios Katrougalos dhe përfaqësuesi i lartë i kabinetit të presidentit slloven, Borut Pahor.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ftesë për praninë në inaugurimin ka dërguar te të gjithë shefat e vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE), përfshirë edhe përfaqësuesit e KE-së dhe shteteve të rajonit.

Presidentit të sapozgjedhur, Pendarovski, sot nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) iu dorëzua certifikata se është zgjedhur shef i shtetit, pasi paraprakisht institucioni zgjedhor në mbledhjen publike njoftoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale.

Në inaugurimin e tij, Pendarovski do të adresohet me deklaratën solemne para të zgjedhurve të popullit, anëtarëve të Qeverisë, krerëve fetarë, njerëzve të parë të armatës, korit diplomatik dhe mysafirëve nga jashtë.

Pendarovski u mbështet nga Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) dhe koalicioni. Ai në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale fitoi 436.212 vota apo 51,66 për qind të votave të qytetarëve që dolën në votim.

Ai do të jetë presidenti i pestë i shtetit që nga pavarësia. Kiro Gligorov ishte presidenti i parë i shtetit, duke u pasuar nga Boris Trajkovski, Branko Crvenkovski dhe Gjorge Ivanov, raporton Anadolu Agency (AA).