Nesër pritet të shkarkohet nga detyra drejtori me aktakuzë në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka ftuar një konferencë për media për ditën e nesërme kur pritet të publikojë vendimin e tij.

“Ftoj mediat dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në konferencën për shtyp që do të mbahet nesër më 26 gusht (e hënë), në ora 12:00 në Kuvendin Komunal”, ka shkruar Haskuka në një postim në profilin e tij në rrjete sociale. Ai gjithashtu ka konfirmuar se konferenca është për rastin e drejtorit të Drejtorisë së Financave.

Sipas burimeve të Portalit Informativ Lajme365.com, në konferencën e nesërme do të bëhet publik largimi i Ertan Simitçi nga detyra e Drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit.

Javë më parë kundër drejtorit Simitçi ëshë ngritur kallëzim penal nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren. Sipas aktakuzës, Drejtori për Ekonomi dhe Financa pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me ligjet në fuqi ka lidhur kontrata për emitimin e spoteve për nevojat e drejtorisë me mediumet lokale.

Javën e kaluar organizatat Ec Ma Ndryshe, IPSIA, OJQ THY, Nevo Koncepti, Qendra Rajonale e KMDLNJ – Prizren, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore – Legatum, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit për Ekonomi dhe Financa, që akuzohet për për keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Integriteti institucional duhet të jetë fokus i angazhimit të përgjithshëm e veçanërisht i njerëzve në pozitat vendimmarrëse. Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren për drejtorin e drejtorisë komunale për ekonomi dhe financa, në cilësinë e të dyshuarit keqpërdorim të detyrës zyrtare, vë në pikëpyetje integritetin institucional përkatësisht qeverisjen lokale në Prizren”, thuhej në reagimin e shoqërisë civile në Prizren.

Më i zëshëm rreth kësaj kërkese drejtuar kryetarit Haskuka, ka qenë dhe është përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës ( KDI) në Prizren, Naim Cahani, i cili çdo ditë tashmë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore e Prizren, bën thirrje që të shkarkohet drejtori i akuzuar nga i pari i Komunës.