New York Post: Si po përpiqet Veseli t’i fitojë zgjedhjet me fotografinë e Trumpit

Fotografia e Kadri Veselit me presidentin amerikan Donald Trump e cila po përdoret nga kreu i PDK-së në kohë të fushatës, ka marrë vëmendjen e gazetës “New York Post”, e cila së fundmi ka shkruar një artikull me titullin “Politikani i Kosovës publikon fotografinë me Trumpin, në përpjekje për t’i fituar zgjedhjet”, raporton Gazeta Express.

Kadri Veseli, një kandidat për kryeministër në shtetin e vogël të Ballkanit, Kosovë, bëri një fotografi me Donald Trumpin në një ngjarje në Washington në vitin 2017, derisa tash ai po e përdor këtë imazh në qytetin e Prishtinës, me shpresë se do ta ndihmojë në zgjedhje.

“Për dallim nga rivalët e mi, unë jam kandidati i vetëm që vazhdoj të promovoj një partneritet të fortë dhe publik me SHBA-në dhe Shtëpinë e Bardhë”, tha Veseli në një prononcim për The Post.

Një tabelë e madhe me fotografinë që është gati tre vjet e vjetër, u vendos pastaj në disa vende, në kohë të fushatës. E njëjta fotografi u shpërnda edhe në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.

Veseli u takua me presidentin amerikan në vitin 2017, në Washington, derisa tha se pas kësaj ngjarjeje Trumpi menjëherë u njoftua me problemin e Kosovës dhe të rajonit në tërësi, tha Veseli.

Kosova – e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 – njihet si shtet nga më shumë se 100 vende, përfshirë SHBA-në, por Serbia dhe pesë vende të Bashkimit Evropian ende refuzojnë ta pranojnë atë.

“Njerëzit e Kosovës e kuptojnë se një Amerikë e fortë do të ndihmojë që Kosova të bëhet më e fortë”, tha Veseli.

Veseli, i cili në mandatin e fundit ishte kryetar i parlamentit të Kosovës dhe drejtues i PDK-së, është duke e quajtur veten si tifozi më i madh i Trumpit në kohë të fushatës.
Fotografia e Kadri Veselit me Donald Trump që po përdoret në fushatë

“Platforma ime kundër korrupsionit dhe nepotizmit ka shumë të përbashkëta me platformën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Trump kanë në luftën globale kundër korrupsionit”, tha Veseli të dielën në qytetin e Lipjanit.

Veseli është, gjithashtu, një nga themeluesit dhe drejtuesit e UÇK-së dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.

New York Post, ndërkaq, shkruan se kundërshtarja kryesore e Veselit është Vjosa Osmani, kandidatja e LDK-së, e cila është gruaja e parë që kandidon për kryeministër në Kosovë.

Ajo, gjithashtu, është e lidhur me SHBA-në pasi që është e diplomuar në Universitetin e Pittsburgh School of Law.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë do të mbahen më gjashtë tetor. /GazetaExpress/