Nga kryeministri, te kryetarët e partive, beteja e politikanëve të Kosovës me COVID-19

Koronavirusi nuk fal askënd. I fundit i prekur nga Covid-19 është Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Lajmin e bëri publik vet ai të dielën mbrëma.

“Sot e kam bërë testin për covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Nuk kam shenja, përveç një kollë shumë të lehtë. Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Por, para tij i prekur nga ky virus, prej 10 korrikut ishte edhe kryetari i partisë prej nga vjen Kryeministri.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka kaluar këtë sfidë para dy ditësh.

“Dua të ndaj me ju lajmin se kam rezultuar negativ, pas përballjes me Covid-19”, ka shkruar ai në Facebook, ku ka falënderuar edhe doktorët për kujdesin.

Veç Mustafës së LDK-së, i prekur është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai më 23 korrik njoftoi se ka rezultuar pozitiv.

“Të dashur qytetarë, pak çaste më parë u njoftova nga IKSHP se kam rezultuar pozitiv në testin e kryer për Sars-CoV-2. Unë jam mirë me shëndet dhe deri në shërim të plotë do të qëndroj në vetizolim”, ka shkruar ai.

Por, të prekur nga virusi korona ishin deputetë të pothuajse të gjitha partive politike në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ishte i prekur, bashkë me deputetin e kësaj partie, Haxhi Avdylin.

Lajmin që ishte infektuar, Gashi e bëri publik më 28 qershor, ndërsa më 17 korrik njoftoi se është shëruar.

“Pas një periudhë të përballjes me virusin COVID-19, mund të konfirmoj se tashmë e kam kaluar këtë sfidë. Ju falënderoj shumë për kujdesin e treguar ndaj meje dhe familjes sime, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa pas 3 javësh izolim, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli më 23 korrik njoftoi për shërimin e tij.

“Nga dje, pas testit negativ dhe kritereve të OBSH-së, IKSHP, më ka shpallur të shëruar nga Covid19, pas 3 javë izolim”, ka shruar ai në Facebook.

Të prekur kishte edhe nga Vetëvendosje. Fitim Uka deputet i kësaj partie, bashkë me Shpejtim Bulliqin kanë deklaruar që kanë rezultuar pozitiv.

Uka njoftoi të dielën se është shëruar.

“Të shëruar. Fituam një betejë personale, por jo luftën e përgjithshme ndaj Covid-19”, ka shkruar ai.

Ndërsa deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Bulliqi është ende në izolim, ndërsa lajmin se ka rezultuar pozitiv e ka bërë publik më 29 korrik.

“Ju informoj se jam njoftuar nga IKSHP-ja se pas testimit të bërë për COVID -19, kam rezultuar pozitiv.  Ju njoftoj se do të jem në izolim duke respektuar rekomandimet e IKSHP-së. Gjendjen shëndetësorë e kam stabile”, ka shkruar ai në Facebook.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ishte e prekur, madje ajo është trajtuar dhe në Klinikën Infektive disa ditë. Këtë e ka bërë publike vetë deputetja, e cila ka njoftuar se tashmë është shëruar.

“Pas 20 ditësh – 10 në shpi e 10 në spital nga sot zyrtarisht jam Covid-Free, por ende me terapi shtëpie në vazhdim”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të prekur me COVID-19 kanë qenë deputetët: Albena Reshitaj dhe Rasim Selmanaj. Të dy janë shëruar.

“Pas vetëizolimit 18 ditësh me përgjegjësi të madhe që të mos e rrezikoj askënd, ju njoftoj se sot IKSHPK më konfirmojë që jam shëruar plotësisht nga Covid19”, ka njoftuar Reshitaj.

I shëruar nga virusi është edhe bashkëpartiaku i Reshitajt, Rasim Selmanaj.

“Sapo ma konfirmuan nga Instituti se jam i shëruar plotësisht nga covid 19! Po ashtu, edhe në test kam rezultuar NEGATIV”, ka njoftuar vet ai.

Ndërsa nga Nisma Socialdemokrate nuk ka deri tani deputetë, të cilët janë deklaruar me këtë virus, por i infektuar është kryetari i këshillit kombëtar të saj, Jakup Krasniqi.

Ai e kishte konfirmuar këtë lajm për mediat më 23 korrik.

Deri tash të konfirmuar me Covid 19 nuk ka asnjë anëtarë të kabinetit qeveritar, por ata që kanë pasur kontakt me Kryeministrin janë në vetizolim deri në marrje të rezultateve.

Aktualisht në Kosovë janë 3804 raste aktive me COVID-19, ndërsa 4989 persona janë shëruar.

Numri i qytetarëve që kanë humbur jetën nga ky virus është 256. Vetëm javën e fundit, pra nga e hëna e 7 korrikut betejën me COVID-19 e kanë humbur 79 persona.

Mesatarja e rasteve pozitive të konfirmuar me koronavirus në Kosovë sillet rreth 200 persona në ditë.