Nga mesnata, 220 mijë numra të Z-Mobile kaluan në Vala

220 mijë numrat e telefonisë mobile Z-Mobile kanë kaluar zyrtarisht në Platformën e Vala-s, raporton Ekonomia Online.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, i shoqëruar nga kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lahmi Balaj, kanë lansuar procesin e migrimit të të gjithë numrave Z-Mobile në platformën e VALA-s, pikërisht në mesnatë.

“Kemi përgatitur paketa atraktive për konsumatorët që tash janë pjesë e jona. 220 mijë numra tani janë në Platformën tonë; kemi pako atraktive dhe do të vazhdojmë të kemi befasi sa i përket produkteve të reja”, tha Istrefi.

“Ne jemi përgatitur që një kohë për pjesën teknike dhe ne kemi qenë gati para tre muajve për këtë që po e bëjmë”, shtoi ai.

Kryeshefi sqaroi se të gjithë ish-klientët e Z-Mobile që nga sot kaluan në Vala, gjatë periudhës “transitore” njëmujore do të kenë falas minuta, megabajtë interneti dhe mesazhe.

“Pakot që i kemi përgatitur janë: 50 GB free, 150 minuta free dhe 100 sms free. Qytetarët të shkojnë në pikën më të afër të Telekomit t’i regjistrojnë numrat e tyre dhe të marrin shërbimet”, tha Istrefi, raporton EO.

“Ashtu siç iu kemi premtuar konsumatorëve, ata nuk do të mbesin pa shërbime dhe do të vazhdojnë me shërbime të Telekomit. Dhe ne e vlerësojmë këtë si një të hyrë shtesë e cila e të krijojë mundësi të stabilitetit financiar”.

Kryetari i Sindikatës, Balaj, falënderoi stafin për punën që po bëjnë.

“Është proces dhe punë e mirë që po bëhet. Ne kemi arritur që sot t’i kthejmë numrat aty ku e kanë vendin. Ata klientë kanë qenë të Vala-s”.

“Kjo është Vala kemi qenë dhe mbetemi liderë”, theksoi Balaj.