Nga sa vota morën ministrat e zëvendëskryeministrat e ‘Qeverisë Haradinaj’?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka publikuar rezultat e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Partitë që ishin në qeveri nuk arritën që të siguronin votat e të dilnin të parët, shkruan Indeksonline.

 

 

Por sa vota morën ministrat dhe zëvendëskryeministrat që ishin në kabinetin e ‘Qeverisë Haradinaj’?

Dy zëvendëskryeministrat e ‘Qeverisë Haradinaj’, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacooli bashkuan forcat në  këto zgjedhje por nuk arritën ta kalonin pragun prej 5%.

Fatmir Limaj si udhëheqës i koalicionit Nisma-AKR-PD mori 26 mijë e 14 vota. Kurse, Behgjet Pacolli mori 10 mijë e 525 vota.

Zëvendëskryeministri tjetër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj edhe pse nuk fitoi me pari, ai arrit të siguroi një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ai mori 11 mijë e 157 vota dhe do të jetë përsëri pjesë e parlamentit.

Zëvendëskryeministir dhe Ministri për Kthim dhe Komunitet, Dalibor Jevetic nuk ishte pjesë e këtyre zgjedhjeve.

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Zëvendëskryeministri, Dardan Gashi po ashtu nuk ishte pjesë e këytre zgjedhjeve.

Ndërsa, Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha që ishte pjesë e listës për deputet nga koalicioni AAK-PSD mori vetëm 4972 vota që nuk ishin të mjaftueshme për t’u bërë deputet.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj arriti të grumbulloj 10 mijë e 351 vota, duke arritur të siguroj një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Financave nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza mori 15 mijë e 471 vota dhe do të vazhdoj të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ndër më të suksesshmit në këto zgjedhje, padyshim ishte ’10-shi’ i PDK-së, Uran Ismajli. Ministri i Shëndetësisë kandidoj për herë të parë në këto zgjedhje për deputet dhe arriti që të marrë 28 mijë e 250 vota, duke qenë i dyti më i votuar në PDK.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi po ashtu pati një rezultat të mirë. Ai arriti të marrë 13 mijë e 335 vota.

Dhurata Hoxha që ishte Ministre e Integrimeve Evropiane nuk arriti të bëhet deputete duke marrë vetëm 2993 vota.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ishte ndër më të votuarit në PDK. Ai i mori 14 mijë e 579 vota, duke siguruar një ulëse në parlament.

Kurse, ministri që erdhi në fund të mandatit të ‘Qeverisë Haradinaj’, Muzafer Shala nuk ishte fare kandidat.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica nga radhët e Nismës, nuk mori më shumë se 3597 vota, duke mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës për këtë legjislaturë.

Mjaft i përfolur sa ishte Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi nuk arrit që të bëhet deputet. Ai garoi në listën e koalicionit AAK-PSD, duke marrë 2323 vota.

Edhe pse mori 6 mijë e 819 vota, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala nuk arriti të bëhet deputet. Ai ishte në koalicionin Nisma-AKR-PD që nuk arritën 5%.

Ministri i Brendshë, Ekrem Mustafa ishte ‘i dështuari’ në këto zgjedhje. Ai nuk arriti të marrë më shumë se 747 vota.

Valdrin Lluka që ishte Ministër i Zhvillimit Ekonomik mori vetëm 2851 vota, duke mbetur kështu jashtë Kuvendit të Kosovës për këtë legjislaturë.

Image result for kuvendi i kosoves indeksonline

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Fatmir Matoshi po ashtu nuk arriti të siguroi votat për t’u bërë së paku deputet. Ai mori vetëm 4280 vota.

Në këto zgjedhje nuk kandidoi fare Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hodzic. Po ashtu nuk ka kandiduar fare as Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar mori 2831 vota por që nuk arriti të siguroi një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kurse, Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demir nga Koalicioni VAKAT, mori 3288 vota që ishin të mjaftueshme për të zënë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

16 anëtarë që ishin pjesë e kabinetit qeveritar, nuk do të jenë as pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës.

Vetëm 7 pjesëtarë të ‘Qeverisë Haradinaj’ arritën të mbijetojnë dhe të sigurojnë një ulëse në parlament. /Indeksonline/