Ngrihen negociatat LVV – LDK

LDK-ja ka marrë vendim t’i pezullojë takimet me LVV-në deri në certifikim të rezultateve nga ana e KQZ-së.

Ata besojnë se meqë rezultati është i ngushtë numërimi i të gjitha votave do ta radhiste LDK-në si partinë e parë. Në anën tjetër, LVV-ja nuk beson në ndryshim të rezultatit, megjithatë është pajtuar se fjala e fundit i takon KQZ-së, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës pas takimit që zhvilloi ditën e djeshme mori vendim t’i pezullojë negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje deri në certifikim të rezultateve nga ana e KQZ-së. Ndonëse të dyja partitë ishin dakorduar që qysh dje t’i fillonin takimet në mes të të dyja palëve për t’i harmonizuar programet, Kryesia e LDK-së bëri të ditur se numërimi i të gjitha votave mund të sjellë ndryshime në rezultat dhe parimisht kjo do t’i japë kahe tjetër negociatave.

Në anën tjetër Albin Kurti është deklaruar se nuk beson që do të ketë ndryshim të rezultateve, ndonëse ka pranuar se fjala e fundit i takon KQZ-së. /Zëri/