Ngritet aktakuzë ndaj hoxhës nga Peja

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj imamit nga Peja, Zuhdi Hajzerit për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Hajzeri, i suspenduar që nga prilli i vitit 2019 nga Komisioni Diciplinor i Bashkësisë Islame, dyshohet se ka bërë lajmërim të rremë tek një hetues se persona të caktuar kanë kryer vepër penale të caktuar edhe pse e ka ditur që të njëjtit nuk e kanë kryer.

“…në atë mënyrë që , i pandehuri, pasi shpallet fajtor nga BIK-u, me datën e lartcekur (27.05.2019), në Prokurorinë Themelore në Pejë, parashtron kallëzim penal ndaj kundër Musli Arifaj, Enes Goga dhe Fuad Hoxhaj, kinse të njëjtët kanë kryer veprën penale “Falsifikimi”, “Mashtrimi” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Sinjali.
Se është ngritur aktakuza e ka konfirmuar për Sinjalin edhe avokati Leotrim Syla.

“Po, është e vërtetë që ju ka ngrit për ‘Lajmërim apo kallëzim të rremë’. Unë atë ende nuk e kam pa, por e ka klienti”, ka thënë shkurt për Sinjalin avokati Syla.

Ndryshe, Gazeta Sinjali sonte raportoi ekskluzivisht për një padi që Hajzeri e ka ushtruar ndaj kryetarit të BIK-ut në Pejë, Musli Arifajt dhe kryeimamit Enes Gogajt.

Ndryshe, pakënaqësia mes palëve kishte filluar për shkak të ndarjes së territoreve të xhamive në Pejë, se cili xhemat cilës xhami i takon, qysh në vitin 2018. Hajzeri kishte pretenduar se deri më 31 dhjetor të vitit 2018 do të duhej të dorëzohej raporti për ndarjen e territoreve tek secili imam, çka sipas tij nuk kishte ndodhur.

Hajzeri pretendonte se dokumenti i vendimit të BIK-ut në Pejë ishte falsifikuar, me ç’rast në lajthitje ishte vënë edhe Komisioni.

Ai kishte denoncuar rastin dhe akuzuar Enes Gogën për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Përveç Gogës, për falsifikim të dokumenteve Prokuria ishte duke u hetuar edhe Kryetarin e Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifajn e sekretari i BIK-ut në këtë komunë, Fuad Hoxhajn.

Por, Prokuroria Themelore e Pejës në dhjetor të vitit të kaluar kishte hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj Enes Gogës. Sipas aktvendimit, dokumenti i paraqitur nga Hajzeri si i falsifikuar nuk ekzistonte fare, pra, ishte i imagjinuar.

Zuhdi Hajzeri që nga prilli i vitit 2019 është suspenduar nga puna. Kjo për shkak që ai ka munguar disa herë në punë pa kërkuar leje. Hajzeri sipas vendimit të Komisionit Diciplinor të BIK-ut ishte pezulluar sepse kishte shkuar dy herë në Tiranë, për një promovim të një libri dhe në një konferencë të organizuar nga Universiteti Bedër. Po ashtu ai ishte gjetur fajtor për pengim të punës së Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë.