Ngritja e çmimeve nga Vala dhe Ipko, Autoriteti i Konkurrencës po mbledh informacione

Dy operatorët e mbetur telefonikë në Kosovë, pas largimit të Z Mobile nga tregu, kanë rritur çmimet e shërbimeve telefonike njëkohësisht.

Tash e disa javë është vërejtur një ngritje e dukshme e çmimeve nga operatorët e telefonisë mobile Vala dhe IPKO në thirrje, mesazhe dhe pako të internetit.

Konsumatorët e Vala-s deri në muajin tetor kanë paguar 9 centë për minutë të një thirrjeje telefonike, po i njëjti operator ka ngritur këtë çmim deri në 13 centë për minutë në muajin nëntor kurse thirrjet jashtë operatorit janë ngritur në 15 centë nga 10 sa ka qenë dikur.

Rritje të çmimeve ka pasur edhe në SMS, nga 2 centë sa ka qenë, është rritur në 6 centë, kurse për ata jashtë operatorit 8 centë.

Këto shuma janë marrë në faqen zyrtare të Vala-s, të cilat janë testuar edhe me telefon me thirrje dhe sms brenda dhe jashtë këtij operatori.

E njëjta rritje është vërejtur edhe në operatorin IPKO e cila po ashtu ka rritur çmimet për konsumatorët e vet  me të njëjtën ngritje që ka bërë Vala.

Thirrjet drejt Ipko-s për minutë janë 13 centë, thirrjet drejt operatorëve të tjerë 15 centë, sms drejt Ipkos 6 centë, sms drejt operatorëve të tjerë 8 centë.

Këto shifra janë të publikuara në faqen zyrtare të Ipko-s për tarifa vendore.

Të dy këta operatorë kanë ripërtëritur të dhënat për shumat e shërbimeve në faqet e tyre zyrtare për tarifa me shumat e reja.

Kjo rritje është bërë  pas daljes nga tregu të Z-mobile, të cilës iu shkëput kontrata nga Telekomi në korrik të këtij viti, kurse në muajin nëntor të gjithë numrat  e Z–mobile kaluan në pronësi të Vala-s.

Qendra për informim e operatorisë mobile Vala nuk është përgjigjur në pyetjen se pse është bërë kjo ngritje e çmimeve.

As operatori IPKO nuk është përgjigjur deri në kohën e publikimit të këtij lajmi.

Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë, organ që heton marrëveshjet e ndaluara mes operatorëve thanë se janë në dijeni dhe po mbledhin informacione nga rregullatori ARKEP (autoriteti rregullativ i komunikimeve elektronike dhe postare) për hapat e mëtejshëm.

“Nga mediat kemi pranuar informacione mbi çështjen në fjalë. Ne jemi duke mbledhur informacione fillimisht nga Rregullatori – ARKEP-i dhe jemi duke trajtuar në shqyrtim paraprak sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Për çdo zhvillim do ju njoftojmë paraprakisht,” u shprehen nga Autoriteti i konkurrencës.

Në anën tjetër, nga ARKEP thonës se  se operatorët janë të obliguar t’i ofrojnë ARKEP-it informata për çdo plan të ri tarifor duke shtuar se tarifat e shërbimeve të telefonisë mobile me pakicë nuk i nënshtrohen rregullimit nga ARKEP me përjashtim të atyre të Romingut me vendet e Ballkanit.

“Ju informoj se me nenin 8 të  Rregullores për Kontrata, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, të gjithë operatorët dhe ofruesit e shërbimeve janë të obliguar t’i ofrojnë  ARKEP-it informata të detajuara për çdo plan të ri tarifor, përfshirë pakot e reja, jo më vonë se ditën e fillimit të aplikimit të tyre. Në respektim të kësaj Rregullore,  operatorët në vazhdimësi e njoftojnë  ARKEP-in lidhur me çdo ndryshim në planet e tyre tarifore. Tarifat e shërbimeve të telefonisë mobile me pakicë nuk i nënshtrohet rregullimit paraprak (ex- ante) nga ARKEP me përjashtim të tarifave të roamingut me vendet e Ballkanit Perëndimor, të gjitha tarifat tjera me pakicë i përcaktojnë vet operatorët,” është përgjigjur ARKEP.

Në ARKEP thonë se nuk kanë informata për ndonjë marrëveshje mes dy operatorëve për ngritje të çmimeve.

“Sa i përket informacioneve apo hetimeve lidhur me ndonjë marrëveshje të përbashkët në mes te operatorëve,  ju njoftoj  se ARKEP nuk është në dijeni lidhur me ndonjë marrëveshje eventuale mes operatorëve dhe se nuk ka mandat ligjor për inicimin e hetimeve të marrëveshjeve te tilla,” shtoi tutje ARKEP. / Kallxo.com